“Nuk mblidhen 500 mijë euro me rrogë shteti”, Shehi për vjedhjen në shtëpinë e Klosit: Këtu çdo nëpunës do të gdhihet milioner

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar ngjarjen e cila është bërë kryefjalë e mediave prej dy ditësh, vjedhjen spektakolare nga Rozeta Rakipllari alias Dobi me djalin e saj në shtëpitë ku punonte si pastruese.

Njëra prej shtëpive që ra [pre e grabitjes i përkiste Alda Klosit alias “Çiko”, ish-shefes së Kabinetit të Arben Ahmetaj.

Duke folur në emisionin “Ditë e re” Shehi tha se “pastruesja është ahjdute profesioniste, por njësoj është edhe zyrtarja e kryeministrisë e cila ka 500 mijë euro.” Në gjykimin e tij, në Shqipëri korrupsioni është në shkallë të lartë dhe çfarëdolloj roli të vogël të ketë një nëpunës do të gdhihet milioner.

Dashamir Shehi: Kjo është çështje për prokurorë por po e gjykoj si fenomen.  Pastruesja është një hajdute profesioniste, por dhe kjo tjetra që ka 500 mijë euro kështu i bie të jetë. Unë gjykoj se 500 mijë euro me rrogë shteti nuk mblidhen. Kjo është një çështje që i duhet lënë prokurorisë dhe policisë. Ky është një akt i rëndë që tregon se korrupsioni është bërë mënyrë jetese, ka fituar qytetarinë. Pothuajse të gjithë e dinë nëpunësit e shtetit mbajnë me miliona lekë në shtëpiat e tyre.

Gjithnjë ka pasur një shkallë të lartë korrupsioni në Shqipëri, kjo edhe për arsye të varfërisë, izolimit, mos mësimit me një adminsitratë moderne por kjo dekadë e fundit ka pasur një lloj përshkallëzimi. Këtu çfarëdolloj nëpunësi apo çfarëdolloj roli të vogël të qoftë do të gdhihet milioner, do të ketë vilë në Vlorë, vilë në Sarandë, makinë që bën 50 mijë – 100 mijë euro, gjëra të pamendueshme 20 – 30 vjet mëpërpara.

Ai u ndal edhe te puna e SPAK dhe tha se Prokuroria e Posaçme nuk do të arrijë dot kurrë të rregullojë gjithë shoqërinë shqiptare. Sipas tij, është vetë shoqëria që duhet të dënojë publikisht dhe politikisht duke mos i votuar.

Dashamir Shehi: Këtu mendojnë se mund të rregullohet me SPAK. Por SPAK nuk rregullon dot të gjithë shoqërinë shqiptare. Është gabim i madh. Po i vënë mbi shpinë një barrë që nuk ka për ta mbajtur kurrë. Jo dhjetë burra por 100 burra të jenë. Shoqëria duhet  të dënojë publikisht dhe politikisht. Të mos i votojë. Presim të na rregullojë politikën SPAK. Jo politika duhet të vetërregullohet. SPAK duhet të rregullojë ata që në emër të shtetit janë bërë “kriminelë”. Ato shefat e mëdhenj. Ndoshta kjo zonjë  mund të hyjë në këtë punë. Se të mbash 500 mijë euro. Edhe tek BB po të marrësh 500 mijë euro duhen 5 libra me letra për ti marrë, këta I fitokan me kaq zotësi.

Të gjithë qenkan emigrantë që mblidhkan para. Unë kam qenë dhe ministër i Emigracionit por nuk kam parë emigrant të pasur shqiptarë.  Qojnë fëmijët në shkollë, mbushin makinën me benzinë, por emigrantë që bëhen me miliona për të prurë para me miliona në Shqipëri nuk e di ku ekzistojnë këto emigrantë. Të gjithë kemi nëpër familjet tona, janë mirë me shkolla e punë por milionerë që të kenë kaq para, plus nëpunës. Ne jemi burrë e grua që marrim rroga të mira prej 30 vitesh por nuk bëhet fjalë prë shifra të tilla./Albeu.com/