Rama: Ju e dini sa i gatshëm jam ta mbroj Metën, bëj kujdes kur flas për kundërshtarët
Kryeministri Edi Rama duke komentuar çështjen më të fundit në lidhje me përgjimet e anti-mafias italiane ka theksuar se çështja është e mbyllur nga prokuroria italiane por sipas tij janë disa elementë që duan të përbaltin Shqipërinë që i nxjerrin në pah.

Rama ndër të tjera ka theksuar se ai e do shumë Shqipërinë dhe për asnjë arsye nuk do të thotë gjëra që e dëmtojnë figurën e saj tek ndërkombëtaret.

Ai ka theksuar se emri i deputetit që del në përgjime e dinë të gjithë që është mik i liderit të PD-së, por që ai nuk ka me e thënë kurrë një gjë të tillë.

“Ju e dini shumë mirë sesa i gatshëm jam unë ta mbroj Ilir Metën aty ku nuk mbrohet sot, por faktikisht nëse Ilir Meta përmendet aty, me emër dhe mbiemër, nëse këshilltari i tij, që njihet edhe si tregtar lajmesh të rreme, i provuar nga gjykata italiane për ti bërë nënën vendit këtu, është aty unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata. Po pastaj? Ata mund të kenë njohje direkte me ata njerëz!

Po pastaj?

Përderisa prokuroria italiane ka dhënë këtë konkluzion ku hyn këtu spekulimi që ky apo ai. Sigurisht që nga ky hetim rezulton që një deputet, i cili është lidhja e tyre atje ka marrë goditje për shkak të këtij hetimi, ai deputet dihet që është mik i Lulzim Bashës dhe i PD. Dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë lidhje me të djathtën. Po pastaj? Çfarë duhet të them unë?! Duhet të them që Lulzim Basha priste këtë deputetin që e çonin mafiozët dhe i jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët?

Nuk e them dot kurrë. Nuk e them dot kurrë sepse e dua Shqipërinë më shumë se ju dhe e dua më shumë se ju sepse kam shumë më tepër kujdes kur flas për kundërshtarët e mi. Ça i takon Çezarit i takon Çezarit dhe ca i takon zotit të jetë e zotit dhe Zoti është Shqipëria”, ka thënë Rama.
Shtuar më 26/01/2021, ora 12:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori