Rama josh mbështetësit e Nanos, u ofron drejtimin e dy komisioneve
Albeu.com
Kryesocialisti Edi Rama duket se ka peshkuar seriozisht dy prej ish-mbështetësve të rivalit të tij në parti. Një ditë pasi i ka propozuar në Kryesi si kryetarë komisionesh pranë Asamblesë, ata kanë komentuar nismën e kreut aktual të selisë rozë.Duke lënë më shumë se asnjëherë të hapur mundësinë për të krijuar një aleancë me Ramën. Veprim që nuk qëndron jashtë zhvillimeve të fundit brenda kampit rozë, në prag të muajit shtator, i premtuar si muaji i betejës.

Deklaratat

I kontaktuar në telefon nga "Shqip", deputeti Taulant Balla vlerësoi propozimin që i është bërë Kryesisë për emrin e tij si kryetar të Komisionit për Politikën e Jashtme pranë Asamblesë Kombëtare. "Natyrisht që do ta pranoja një detyrë të tillë, nëse më ofrohet", deklaroi Balla. Ndërsa shtoi se është gjithmonë i mirëpritur një angazhim i tillë në një moment kritik për ecurinë e reformave integruese të vendit tonë drejt organizmave euroatlantike. Sakaq, deputeti Bashkim Fino nuk pranoi të bëjë komente rreth atij qëndrimi të fundit të kreut të partisë. Fino nuk mohoi e as pohoi se do pranonte detyrën që i është ofruar. Ndërsa u mjaftua me shprehjen "nuk kam çfarë t‘u them tani, do të flas të shtunën në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare". Me aq sa duket në horizont ekziston një konsensus i heshtur mes këtyre dy protagonistëve dhe kryetarit aktual që të vendosen urat e bashkëpunimit. Veprim që ngelet në dorë të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, që ditën e shtunë do të japin ose jo miratimin e tyre për listën e propozuar nga Kryesia për kryetarë të komisioneve të Asamblesë.

Afrimi

Kryesia e socialistëve para dy ditësh shfrytëzoi postet e kryetarëve të komisioneve pranë Asamblesë për të kënaqur edhe dy prej firmëtarëve të ish-kryetarit Fatos Nano në rrugën presidenciale. Sipas vendimit të kupolës rozë, u propozua Silva Bino për kryetare të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Oltion Rrumbullaku për kryetar të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Bashkim Fino për kryetar të Komisionit për Organizimin, Ylli Manjani për kryetar të Komisionit për Çështjet Ligjore, Sigurinë dhe Administratën, Taulant Balla për kryetar të Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Integrimin, Ledi Shamku për kryetare të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Doloreza Sinanaj për kryetare të Komisionit për Tregtinë, Mjetet Prodhuese e Mjedisin dhe Blendi Çuçin për postin e kryetarit të Komisionit për Problematikën.

Shmangia

Bashkim Fino mbante detyrën e sekretarit organizativ të Partisë Socialiste deri në zgjedhjen e Asamblesë së re. Hap pas të cilit Fino u shmang nga lista e kryetarit Edi Rama për emrat e sekretariatit të ri, ashtu sikurse nuk u bë as anëtar i thjeshtë i Kryesisë. Pas këtij momenti, Fino sulmoi kryetarin e ri për aksionin që po ndërmerr në parti. Ndërsa u mendua se arsyeja e këtij "ndëshkimi" ishte fakti se Fino firmosi mbi ambicien e Fatos Nanos për postin e Presidentit. Deputeti Taulant Balla është njohur si një prej mbështetësve më të afërt të ish-kryetarit Nano. Së fundi është vënë re një ftohje në marrëdhëniet mes tyre, çka ka bërë Ramën ta propozonte fillimisht si koordinator të Qarkut të Elbasanit, post për të cilin nuk iu dha mbështetje nga Asambleja. G. Shqip
Shtuar më 29/08/2007, ora 13:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori