Rama heq përgjegjësinë nga vetja: Në BE sot askush nuk futet dot
Në seancën e ditës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, teksa diskutohet mbi projekt-rezolutën e propozuar nga deputetet Senida Mesi dhe Rudina Hajdari për negociatat me Bashkimin Europian, ka mbajtur fjalën e tij edhe Kryeministri Rama.

Kyi fundit refuzon të besojë që Shqipëria e ka të vështirë hyrjen në BE për shkak të problemeve të brendshme, por sipas tij është vetë BE që aktualisht ka një debat në brendësi të saj dhe ndaj asnjë shtet nuk do mund të integrohej dot.

"A është gati Shqipëria për të hapur negociatat? Besoj që pyetja është legjitime dhe e meriton një debat por kur ngrihet si pyetje retorike dhe pastaj merr atë përgjigjen e lehtë dhe përgjigjja argumentohet me Holandën, apo me kushtet e Gjermanisë, apo Francën, që qenkan më rigorozë se të gjithë vendet e tjera, dhe medemek shikokan më thellë se Komisioni Evropian që paguhet nga Gjermania, Franca, Holanda e gjithë të tjerët për të parë përditë më thellë, vetvetiu ikim nga thelbi dhe futemi në katundin tonë duke u përpjekur tu themi shqiptarëve secili, që unë jam ai që duhet të dëgjoni dhe besoni dhe jo parafolësi apo parafolësja.

Kur ngrihet pyetja a është gati Shqipëria, në raport me kë? Këtu nis një diskutim real, dhe jo një debat i kotë, që në vend të synojë ta fokusojë politikën si e tërë, dhe shoqërinë tek kjo sfidë, në fakt synon të kundërtën. Të përdorë si argumente për të goditur këtu brenda argumente që në fakt nuk kanë lidhje fare me këtë.

Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE.

Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria është shumë më gati për të hapur negociatat seç kanë qenë të gjitha vendet para se të hapnin negociatat. Sepse procesi është bërë shumë më i ndërlikuar dhe shumë më kërkues. Bashkimi Evropian nuk ka sot problem plotësimin ose jo të kushteve nga Shqipëria, por ka probleme të lidhura me një periudhë të tërë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve.", tha Rama. /albeu.com/
Shtuar më 03/10/2019, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori