Rama: Greva nuk do ndalet deri ne plotesimin e kerkesave
Albeu.com
Opozita shqiptare shprehet e vendosur për të vazhduar protestën e saj deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve. I pranishëm në protestën e socialistëve është edhe lideri i tyre, Edi Rama, i cili mbajti edhe një fjalim ...... para përkrahësve, duke falënderuar të pranishmit në protestën e djeshme për transparencën e zgjedhjeve.

“Dua të shpreh respektin e deputetëve dhe qytetarëve që e përshkallëzuan rezistencën përmes institucionit të saj më të guximshëm, grevës së urisë. Ky akt sakrifice do të jetë shembulli i shpirtit demokratik dhe betejës qytetare të kësaj proteste”, deklaroi lideri i opozitës shqiptare.

Ai theksoi se kjo grevë nuk do të ndalet, deri në plotësimin e kërkesave të opozitës. “Ne jemi të qetë për ta vazhduar zinxhirin e sakrificës. U bëj apel të gjithë atyre që dje nuk mundën të jenë me ne, të vazhdojnë të përshkallëzojnë rezistencën tonë paqësorë. Cdo qytetar është i mirëpritur ne cdo organizim, në qytetin e tij apo në Tiranë”, vazhdoi Rama në fjalimin e tij.

Lidhur me organizimin festiv të organizuar nga Qeveria, Z. Rama e quajti atë shëmbëlltyrën e moralit qeverisës. “Është shprehja më kuptimplotë e vazhdimësisë e së një mendësie të vjetër komuniste, e cila vazhdon të sundojë duke kapur shtetin, duke i sjellë punonjësit e administratës me lista, me kërcënimin se do të humbasin vendin e punës, nëse nuk do të jenë të pranishëm në koncertin që është fasada më e turpshme e Shqipërisë që lëngon në borxhe”, përfundoi Rama fjalimin e tij.
Shtuar më 01/05/2010, ora 18:54
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori