Si u zbulua krimi monstruoz, vëllai vrau motrën pse iku me të dashurin

Policia dhe prokuroria kanë mundur të dokumentojnë tashmë një krim të tmerrshëm të 8 viteve më parë, ku familja vrau dhe groposi vajzën 23 vjeçare pasi nuk miratonin bashkëjetesën me të dashurin e saj.

Ezekutimin e Eglantina Bucit e ka kryer vëllai i saj, Shkëlzen Buci duke e groposuar më pas në Malin me Gropa.

Në atë kohë, familja pretendoi se vajza kishte humbur, por gjetja e eshtrave dhe kryerja e hetimeve të mëtejshme zbuloi se ajo ishte vrarë nga familja.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2012, ku Eglantina Buci, atëherë vetëm 23 vjeç, shkoi të bashkëjetonte me të dashurin e saj në zonën e Freskut në Tiranë edhe pse familja e kundërshtonte një fakt të tillë.

Pasi mësuan ku ishte vajza, babai i saj Faik Buci dhe vëllai Shkëlzen Buci shkuan dhe e morën Eglantinën nga shtëpia ku jetonte në zonën e Freskut në Tiranë duke e vrarë më pas.

Si u zbulua

Disa vite më vonë, në zonën e Malit me Gropa u gjetën pjesë eshtrash duke bërë që policia fillimisht të dyshojë për vajzën e humbur duke marrë pjesë të ADN-së së nënës së saj për t’i krahasuar.

Pas analizave rezultoi se ADN-ja e eshtrave dhe e nënës së Eglantinës përputheshin duke vërtetuar se bëhej fjalë pikërisht për vajzën e zhdukur.

Të dhënat nga ADN-ja u bashkuan me informacione në rrugë operative duke bërë që të zbulohej tërësisht ngjarja e tmerrshme e 8 viteve më parë.


Shtuar 5.09.2020 09:30