Rama fton PD-në për “bashkim” në ditëlindjen e PS-së (FOTO-LAJM)

Partia Socialiste festoi mbrëmë 23-vjetorin e themelimit të saj. Me rastin e ketij pervjetori, PS zhvilloi një pritje në mjediset e lulishtes së Muzeut Kombëtar, pjesë e së cilës ishin personalitete të larta të vendit.

Në fjalën e tij për “23 vjet socialist”, Rama i kushtoi vëmendje edhe bashkëpunimit me PD-në, sidomos në raste festash.

“Nëse do na kishin nderuar me pjesëmarrjen do ishim të gëzuar, do ngrinim një dolli edhe për Bashën, ka lindur në një datë të shënuar, por shpresojmë të jemi së bashku vitin tjetër. Ditëlindja ime nuk përkon me ditëlindjen e PD-së, por nëse më ftojnë do shkoj me kënaqësi në festën e tyre, edhe pse s’do kem fatin të ngrihet një dolli për ditëlindjen time. Të mos keqkuptohet kush, kjo nuk është shenja e një përpjekjeje për t’u bashkuar edhe me PD-në pasi jemi bashkuar mesvedi si socialistë e si progresistë. Por edhe të ndarë deri edhe për festa kaq modeste si ditëlindjet, nuk shkon më. E jo vetëm kaq, po nuk shkon më as që ndarja e natyrshme, e domosdoshme, thelbësisht demokratike mes kampeve politike, të jetohet prej nesh e të përjetohet prej popullit tonë, si luftë e ftohtë vëllavrasëse ndërkohë që vendi synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, u shpreh Kryeministri.

PD-ja vendosi dje të përfaqësohej në festë vetëm nga ish-deputeti dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Tritan Shehu i cili qëndroi deri në fund të festës. E ndërkohë, Berisha edhe pse jo i pranishëm nuk harroi të uronte socialistët nga salla e Parlamentit, e si për ‘rastësi’ kishte zgjedhur që pikërisht dje të vinte kollare rozë.
Shtuar më 13/06/2014, ora 09:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori