Kryeministri Edi
Rama ditën e sotme ka vendosur të bëjë një ftesë
publike drejtuar të gjithë krerëve të opozitës jashtëparlamentare, duke u kërkuar dialog për Reformën
Zgjedhore.
Kryeministri
Rama ka bërë
publike ftesën në faqe e tij zyrtare në Facebook, ku shprehet se
pavarësisht kundërshtive tashmë të njohura, ka vend ende për dialog në interes të vendit.
“Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë
pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi,
disave për të qeverisur e
disave për të bërë opozitë”, shkruan
Rama në letrën e tij
publike.
Postimi i plotë i Ramës:
FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu
Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,
Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën
Zgjedhore.
Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.
Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë
pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi,
disave për të qeverisur e
disave për të bërë opozitë.
Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës
Zgjedhore.
Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën
Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.
Ju faleminderit
EDI RAMA
Tiranë, 18 shtator 2019
Shtuar më 18/09/2019,
ora 14:44