Rama flet për sherrin: Një hap i hedhur nga prokuroria
Pëlqej
Edi Rama ko folur në lidhje me videon e publikuar dje ku dy deputet të PS, Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka ushtruan dhunë fizike ndaj deputetit të PD-së, Gent Strazimir.

Nëpërmjet nje postimi në Facebook ai ka thënë që, nuk do të ketë dalim nëse personat janë apo nuk janë pjesë e shumicës qeverisëse.


"Prokuroria lajmëroi se do të çojë para gjyqit, mesa duket nën akuzën për goditje për shkak të detyrës, dy deputetë socialistë. Arsyeja: Grushtimi i një deputeti demokrat në një korridor të Kuvendit. Në historinë e një Kuvendi ku janë zbrazur deri edhe armë përveç sharjeve me libër shtëpie dhe dufeve me këmbë e me duar, apo ku kanë rënë përtokë disa dhëmbë të thyer brenda një raundi të vetëm, masa e lajmëruar nga prokuroria është e paparë.

Ndërsa në historinë e një vendi ku goditja për shkak të detyrës ka çuar në vrasje me plumba në mes të bulevardit, në rrahje masive me pasojë jo thjesht skuqjen e pjesëve lakuriqe të kokës, po përgjakjen e shumë njerëzve, por ku s’është parë ende asnjë pasojë penale për përgjegjësit, hapi i hedhur nga prokuroria në drejtim të dy deputetëve të shumicës parlamentare ngjan në përpjestim goxha të zhdrejtë me vendnumëronë e organit të akuzës mbi një sërë çështjesh të mëdha penale. Sidoqoftë ne, shumica qeverisëse, nuk i japim vetes të drejtën të ankohemi për prokurorinë dhe as na shkon mendja të hakërrehemi ndaj saj apo të përdorim policinë, siç kanë bërë paraardhësit tanë, për t’iu shmangur drejtësisë duke e penguar me përdhunë prokurorinë të bëjë detyrën. I siguroj të gjithë se ky do të jetë qëndrimi ynë në çdo rast që organi i akuzës do të ngrejë pandehma të kompetencës së vet ligjore, ndaj kujtdo që përfaqëson koalicionin tonë në qeveri, parlament apo pushtetin vendor. Prokurorinë në këtë vend e kanë penguar prej shumë vitesh shumë gjëra, duke filluar nga mungesa e kurajos dhe integritetit të shumëkujt brenda saj. Por prej një viti i është hequr një pengesë e lartë: Qeveria!

Sepse ka ndodhur një ndryshim i madh në Shqipëri 23 qershorin e shkuar dhe edhe qasja e re e shumicës qeverisëse ndaj organit të akuzës - edhe kur ndodh që nën akuzë të vihen njerëz të kësaj shumice -, është një tjetër shembull kuptimplotë i këtij ndryshimi".
Shtuar më 24/09/2014, ora 19:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori