Koncesioni i sterilizimit, Meta: Skemë e përgatitur nga Rilindja para se të vinte në pushtet

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për koncesionin e sterilizimit për të cilin thotë se ka qenë një skenë e përgatitur me parë nga Rilindja, para se të vinte në pushtet që me biznesmenë të përzgjedhur të zhvaste paratë publike.

“Dihet se kush është krenuar me koncesionin e sterilizimit dhe madje është tallur me të gjitha vërejtjet dhe me të gjitha kritikat për këtë koncesion të panevojshëm, i cili është kryeministri aktual.

Është e qartë edhe nga kaq hetim që ka dalë apo ka rrjedhur nëpër media, se nuk kemi asnjë rastësi me skemën e inceneratorëve, që është kryefjala e gjithë korrupsionit qeveritar, për shkak të implikimit të pothuajse treçerekut të qeverisë në mënyrë të strukturuar në këtë aferë tronditëse.

Nuk kemi asgjë të rastësishme as te koncesioni i sterilizimit dhe as tek gjithë koncesionet e tjera.

Kanë qenë skema të përgatitura më parë, përpara se mesa duket Rilindja të vinte në pushtet me biznesmenë të përzgjedhur për të zhvatur paratë publike”, shkruan Meta.

Koncensioni i Sterilizimit

Në 16 Shkurt 2015, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin për dhënien me koncesion/partneritet publik privat (PPP) per ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si edhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Tenderi përllogaritej në vlerën e rreth 100 milionë eurove, të cilat do t’i paguhen fituesit të koncensionarit nga Buxheti i Shtetit për një periudhë 10-vjeçare. Gjithësesi, në bazë të disa ndërhyrjeve të mëvonshme, qeveria e shtoi vlerën e koncensionit në rreth 135 milionë euro.

Në tender morën pjesë 5 operatorë, 3 prej të cilëve nuk kishin paraqitur ofertë dhe për këtë arsye u skualifikuan automatikisht.

Në Prill 2015, Ministria e Shëndetësisë shpall fitues bashkimin e operatorit të regjistruar në Kosovë nga shqiptari emigrant Ilir Rrapaj “Investial” dhe tre kompanive italiane. Konkretisht; “Servizi Italia”, e regjistruar në Parma, si edhe peruxhianet “Tecnosanimed” dhe “U.jet”srl.

Kompania humbëse e ankimoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

Në Shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranonte pjesërisht ankimin, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të rishikojë disa aspekte të tenderit.

Pas rishikimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë, në Dhjetor 2015, vendosi të shpallte fitues sërish të njëjtin bashkim operatorësh që kishte kualifikuar edhe në fillim.

Tashmë, kompania e shqiptarit Rrapaj dhe tre kompanitë italiane ishin bashkuar në një të vetme, duke krijuar koncensionarin “Saniservice”./Albeu.com/