“E çova nuse dhe e mora të vdekur”, babai akuzon dhëndrin: Ai ma hodhi vajzën nga ballkoni

“Stop” hedh dritë mbi një ngjarje makabre në Durrës, me viktimë një 24-vjeçare. Anisa Gjini, nënë e një djali 3-vjeçar pretendohet se u hodh nga ballkoni i katit të tretë, ku jetonte me bashkëshortin, Alfred Gjini dhe vjehrrën, Fahrije Gjini. Por babai i të ndjerës ka bindjen, se vajza e tij u vra nga burri i dhunshëm pas një sherri mes të dyve.

“Është gjëja më e keqe që më thotë, është hedhur. Që ajo po të ishte hedhur do ishte bërë fije-fije. Nga kati i tretë të mos ketë asnjë shenjë në kokë përveç çarjes, duarsh këtu, shenjat e dhunës, nuk kishte sens. Është vrarë, bashkë me të ëmën”, tha babai.

“Stop” ka siguruar dy dëshmitë, të bashkëshortit dhe të vjehrrës së Anisës.

Alfredi tregon se është kthyer në shtëpi rreth orës 18:00. Në orën 19:00, ata kanë darkuar dhe më pas ai po shikonte ndeshjen Itali-Spanjë.

Alfred Gjini tregon se në momentin kur ka bërë gol Spanja ai është ngritur dhe ka parë Anisën në dhomën e gjumit që po çatonte në telefon.

I është afruar dhe e ka pyetur se me kë po flet. Anisa është përgjigjur se po flet me tezen. Në këtë moment ai i merr telefonin me forcë dhe shkon në banjo për të parë se me kë po fliste Anisa.

Alfredi deklaron se ka kaluar nga dritarja e banjos tek ballkoni dhe në ato momente dëgjon komshinjtë që po bërtisnin, “Ra”.

Ai zbriti nga shkallët me shpejtësi dhe pa bashkëshorten poshtë pa ndjenja. Sipas deklaratës ai nuk ka pritur ambulancën, por e ka çuar Anisën me makinën e tij drejt spitalit, ku ajo u konstatua pa jetë.

“Ma ka lënë nusja, 10 vjeç ma ka lënë atë. E rrita, e çova nuse, dhe e mora të vdekur nga atje. Nuk mundem. E mora të vdekur”, tregon i ati.

Ndërkohë vjehrra tregon se Alfredi dhe Anisa erdhën në shtëpi rreth orës 18:00. Në orën 21:00 ata kanë darkuar së bashku dhe nuk ka pasur asnjë konflikt.

Djali i saj dhe nusja kanë qenë duke parë ndeshjen Itali-Spanjë dhe vjehrra thotë se në këtë moment ka qenë në banjo dhe ka parë djalin me telefonin e nuses në dorë dhe Anisën duke e ndjekur nga pas që t’i jepte telefonin.

Por ai nuk ka pranuar që t’ia kthejë. Vjehrra tregon që Anisa u mërzit dhe vrapoi drejt ballkonit që të hidhej.

Në dy dëshmitë, të bashkëshortit dhe të vjehrrës Fahrije Gjini, ka paqartësi dhe mospërputhje të ngjarjes.

Alfredi deklaron se Anisa ishte në dhomën e gjumit kur e ka parë që po çatonte në telefon, ndërsa vjehrra deklaron se Anisa ishte duke parë ndeshjen me Alfredin.

Vjehrra deklaron se Alfredi ishte në ballkon me telefonin e Anisës, ndërsa djali, Alfredi thotë se u fut në banjo dhe doli nga dritarja në ballkon dhe dëgjoi komshinjtë që thërrisnin se Anisa ra nga ballkoni.

I ati i Anisës thotë, se u njoftua 4 orë pas ngjarjes kur vajza e tij ishte çuar në morg.

“Atë ditë më kanë marrë në orën 1 të natës, kur goca kishte qenë në orën 22:00 në spital. Në 1 të natës më kanë marrë më kanë thënë që na ndodhi kjo “u vra Anisa”. Më ka marrë dhëndri nga dega. Pas katër orësh që ishte vrarë goca më ka njoftuar që ishte ora 1, 1 e 10 që ka ik nipi. Pas nipit kemi ikur dhe ne. Nuk arrita ta shoh. E kemi gjetur në morg. Luftë me veten. U detyrova e mora sepse e prura i bëra varrimin. Nuk e prisja kurrë. Unë mezor i rrita ata fëmijë. I martova për mrekulli. Ishte pas mbajtur, e bëri, ma vrau. Më bëri namin, hatanë. Çfarë me thënë. Më mirë të vdes edhe unë dhe të mbyll hallet sesa këtë”, tha i ati.

“Ai e ka qëlluar një herë gocën tek daja i vet me sebep të çunit se gjithmonë ishte arrogant, mosmirënjohës sepse unë nuk doja që të prishej ajo kurorë sepse thosha hatri i fëmijës. Më pati thënë o ba hajde më merr njëherë. “O babush dëgjo babin kthe rrugë për hatrin e fëmijës. Kthe rrugë për hatrin e fëmijës, s’ka gajle të sillet ai. O babi nuk durohet kjo plaka. O babi nuk durohet e shamja kësaj nëpër lagje”. Nuk mundem më dhe i jap pishmanit asaj që nuk arrita ta marr”, tregon babai kur pyetet për probleme që mund të ketë pasur vajza me bashkëshortin.

Ai flet për shenja në trupin e Anisës, të cilat shtojnë dyshimet për vrasje. Në lidhje me procedurën e policisë së Durrësit ka shumë pikëpyetje.

“Ata kanë pasur kohë të lirë, si i kanë bërë hesapet e tyre i dinë vet. Nuk ia fal këtë që thotë se është hedhur goca. Nuk ia fal sa të jem gjallë. Se po të ishte hedh goca ime do ishte hedhur bashkë me nipin e vogël se nuk kishte burrë nëne t’i ndante. Këto lloj shenjash nuk janë të hedhura. Nuk ka fare këtu. Vetëm një shenjë ka të goditjes. Do ishin thyer brinjë”, tha i ati.

Në procesverbalin e ngjarjes nga OPGJ i Durrësit, Shkëlqim Osmani, janë vetëm 4 foto. Ai nuk ka bërë një kontroll të detajuar brenda shtëpisë për të parë nëse ka pasur përleshje, shenja gjaku apo prova të tjera që do i shërbenin hetimit.

“Nuk është bërë asnjë kontroll në shtëpi. Me çfarë e çoi në spital? Me biçikletë? Si nuk bëri policia një kontroll atje brenda. I tha nipi me çfarë e çoi, vallaj nuk e di tha. Ishte oficer burri i huaj. Si u bë kjo punë? Kaq shpejt. Nuk është gjithçka leku. Gjaku i fëmijës tim nuk ka për t’u blerë as për t’u shitur sa të jem gjallë unë. Sa të jem gjallë unë! Atë që i ka bërë fëmijës tim do ta vuajë sa të jetë gjallë. Ashtu si po qaj unë për ditë do i vijë ora do qajë edhe ai. Ashtu siç nuk rri dot pa i shkuar një ditë tek varri, nuk rri dot, më ka ikur një fëmijë, engjëll…”, shprehet babai.


Shtuar 6.06.2023 21:26