Rama: Ekonomia po jep sinjale të qarta rritjeje të qëndrueshme
Paraditen e sotme, kryeministri ka mbajtur një fjalim mbi operacionin kundër informalitetit dhe rezultatet e tij. Gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë dhe Shoqatat e Biznesit, Rama tha se marrja e Eurobondit është një tregues i qartë i përmirësimit ekonomik të vendit.

“Përfunduam me sukses operacionin e Eurobondit dhe fakti që tregjet u përgjigjën me pozitivitet, është përgjigjja më e mirë për të gjitha pretendimet se ekonomia nuk po ecën mirë dhe se financat nuk janë të shëndetshme.

E kundërta është e vërtetë. Pikërisht se po bëjmë reformën e duhur dhe se ekonomia po jep sinjale të qarta rritjeje të qëndrueshme, përgjigjja ishte edhe më e mirë nga ç’e parashikonim”, u shpreh Rama.

Qeveria shqiptare siguroi 450 milionë euro borxh me afat 5-vjeçar nga emëtimi i Eurobondit në tregjet ndërkombëtare. Interesi mesatar me të cilën është marrë borxhi, ka rezultuar 5.75 %.

Në lidhje me operacionin kundër informalitetit, Rama nënvizoi se po merren rezultate mjaft inkurajuese që tregojnë se kjo është e vetmja rrugë për shpëtimin e ekonomisë.

“Ankesat janë mendësia e së kaluarës. Ne do të veprojmë me agresivitet për t’u ndarë nga e kaluara informale.

Biznesit legjitim po i krijojmë hapësirën e konkurrencës së lirë, duke e mbrojtur nga konkurrenca e pandershme”. /albeu.com/

Shtuar më 09/11/2015, ora 11:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori