Rama e pranon hapur: Nuk jam për lista të hapura, por nuk i dihet!
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme takime me deputetët socialistë sipas qarqeve, ku ka ndarë detyrat për fushatën zgjedhore.

Ai ka dhënë paralajmërime të qarta se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme lokale, siç kërkon opozita jashtë Kuvendit, si dhe tha se nuk është për lista të hapura, ndryshe nga sa kërkon opozita e re.

Edhe pse nuk është pro listave të hapura, si dhe kundër zgjedhjeve të parakohshme lokale, megjithatë, shefi i qeverisë është shprehur se "deri në fund nuk i dihet".

Një tjetër çështje që Rama është ndalur të flasë janë edhe koalicionet parazgjedhore, duke paralajmëruar se PS synon e vetme një mandat të tretë në zgjedhjet e ardhshme.

"Nuk ka zgjedhje të parakohshme për bashkitë, kryebashkiakët do të vijojnë mandatin e tyre. Unë nuk jam për lista të hapura, por çfarë nuk ndodh deri në fund, kështu që kjo fushatë është betejë e juaja. Në varësi të dinamikës politike, mund të mos kemi koalicione parazgjedhore", mësohet t’u ketë thënë Rama deputetëve të tij.

Pasi dha këto porosi për deputetët socialistë, kreu i qeverisë ka nisur pasdite një takim me deputetë të opozitës së re. Takimi ka nisur që prej 19:00, ndërkohë që heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe hapja e listave janë kërkesat e tyre të panegocioushme.

Madje këto kërkesa janë kushtëzuar edhe me votën e tyre mbi marrëveshjen e Reformës Zgjedhore, të arritur nga Këshilli Politik.

Maxhoranca dhe opozita jashtë Kuvendit arritën një marrëveshje më 5 qershor, për Reformën Zgjedhore, por që ajo të marrë formë zyrtare, kërkon miratimin në Kuvend, edhe me votat e deputetëve të opozitës së re.
Shtuar më 07/07/2020, ora 19:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori