Rama: Do fitojmë edhe sikur Saliu ta fusë KQZ-në në shtëpi
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi sot kthimin e ligjshmërisë së Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve dhe zbatmin e Kodit Zgjedhor. Në një prononcim për mediat pas takimit me dy raportuesit e Këshillit të Europës, kryesocialisti u shpreh se zgjedhjet e 23 qershorit do te fitohen bindshem, edhe sikur Berisha ta fuse KQZ në kuzhinen e tij.



“Zgjidhja është e përcaktuar në kodin zgjedhor, në dokumentin e rregulave të lojës , shkruar dhe miratuar me konsensus, i cili praktikisht është shkelur me të katër këmbët nga kjo shumicë që ka mbetur në duart e tre mercenarëve dhe përcakton shumë qartë që KQZ-ja nuk është instrument i partive dhe as organ që varet nga Kuvendi. Ne kërkojmë kthimin e ligjshmërisë për KQZ-në, për ti dhënë procesin dinjitetin që kërkon Shqipëria, dinjitetin që kërkon populli shqiptar pasi PS-ja do të fitojë edhe nëse KQZ-në e merr Saliu dhe e fut në shtëpi, tek dinjiteti i këtij vendi, tek liria e këtij populli” theksoi Rama.

Rama u shpreh gjithashtu se miqtë dhe partnerët ndërkombëtar janë të shqetësuar për atë që po ndodh në KQZ.

“Miqtë dhe partnerët ndërkombëtar janë të shqetësuar për atë që po ndodh në KQZ. Është hedhur në erë KQZ-ja dhe për sa na takon ne në kuptimin e betejës elektorale dhe të ballafaqimit me kundërshtarin e vetmuar dhe në panik le ta marrë KQZ-në në shtëpi. Përsa na takon ne, në kuptimin e betejës elektorale, Berisha po të dojë le ta marrë KQZ-në në shtëpi dhe kjo nuk përbën asnjë problem. Ky është një problem për shoqërinë shqiptare sot dhe për popullin shqiptar pas 23 qershorit, ku pavarësisht se ne do të fitojmë, në sytë e partnerëve tanë, vendi do të jetë i njollosur me turpin që po i le në fytyrë Kryeministri dhe kjo shumicë pa shumicë, i njollosjes që nuk realizoi dot zgjedhje të lira dhe të ndershme” tha Rama. /albeu.com/
Shtuar më 18/04/2013, ora 16:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori