Rama: Bregdeti i ri i Vlorës, gati sot një vit
Pëlqej
Edi Rama
Kryeministri Rama ka njoftuar sot nga sheshi “Pavarësia” i Vlorës përfundimin e projektit të vijës bregdetare të Vlorës dhe ka premtuar se qytetarët do ta mund të shëtisin në të, qysh vjeshtën e ardhshme.

Për më tepër, ky projekt konsiderohet një gur i rëndësishëm themeli, që hap siparin e transformimit rrënjësor të të gjithë vijës bregdetare të vendit, që do të vazhdojë me bashkinë e Himarës dhe atë të Sarandës e do të hyjë në thellësi të vendit.

Po ashtu, Rama ka lançuar sot, edhe fillimin e disa projekteve të reja në qytetin e Vlorës, krijimin e disa zonave dhe fushave sportive për sistemin parauniversitar.

Kryeministri ka qënë i pranishëm mbrëmjen e sotme në prezantimin publik për qytetarët vlonjatë të mbledhur në Skelë, para një ekrani të madh, të projektit të vijës bregdetare, realizuar nga projektet belgë dhe ata shqiptarë që e realizuan atë.

Fjalimi Ramës
Kryeministri Rama, të cilit iu dha fjala nga ministrja Gjermeni, theksoi rëndësinë e këtij projekti që do të nisë me bashkinë e Vlorës, do të vazhdojë me atë të Himarës e deri tek ajo e Sarandës. “Është shumë e rëndësishme, -tha Rama - që projekti i prezantuar na siguron një cilësi krejt të re të vizionit për Vlorën dhe Shqipërinë e këtij shekulli të ri dhe na garanton një nivel realizueshmërie absolutisht të plotë, duke qënë një projekt sa i thjeshtë aq dhe i mrekullueshëm që arkitektët kanë arritur të mishërojnë nevojat sëbashku me aspiratat në një kornizë të vetme.

Është me shumë rëndësi po ashtu që ne sot kemi një projekt të realizuar në një kohë rekord për nga volume i çështjeve që duhej të përballeshmin dhe nga ana tjetër bëjmë realitet, brenda kësaj kohe rekord të realizimit të projektit, në kohë rekord, edhe realizimin e pjesës së parë të vijës bregdetare që përfshin segmentin nga këtu ku jemi deri tek porti, tek tuneli, që është edhe pjesa më e rrahur historikisht dhe pjesa më prezantuese e qytetit dhe e gjithë kësaj krahine.

Është me shumë rëndësi po ashtu që ky projekt përkon me fillimin e një transformimi rrënjësor që do të cijë si rezultat i reformës së ndarjes së re administrative. Tanimë, bashkia e Vlorës do të shtrihet në një hapësirë shumë më të gjërë dhe vija bregdetare e Jonit do të fillojë me bashkinë e Vlorës, do të vazhdojë me bashkinë e Himarës dhe do të përfundojë me bashkinë e Sarandës, por jo vetëm me anën e detit, por edhe me anën që prek gjithë territoret ku ne do t’i japim jetë një zhvillimi të ri të bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit përmes bujqësisë e blegtorisë.

Pa asnjë dyshim, të tria këto pika kyçe të zhvillimit të bregdetit Jonit, nga Vlora në Himarë dhe në sarandë kanë marrë një forcë të re dhe janë tanimë me një potencial shumë më të madh zhvillimi të integruar urban, ekonomik e social, falë integrimit të gjithë komunave ekzistuese në përbërjen e këtyre tre bashkive të mëdha ç’ka do të thotë garantohet administrativisht, edhe një integrim shumë më i plotë i kësaj pjese të Shqipërisë që banon pranë detit me atë më në thellësi, duke harmonizuar zhvillimin që vjen nga turizmi bregdetar me zhvillimin që do të garantojë politika jonë e re në të gjithë pjesën e Lumit të Vlorës deri poshtë ku përfundon jugu bregdetar i Shqipërisë.

Për të gjitha këto arsye që nuk janë të vetmet në fakt, ky projekt ka një rëndësi të posaçme dhe ne do t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë zbatimit të tij dhe bazuar edhe tek forca që i jep vendit, ndarja e re administrative, ne do të fillojmë menjëhërë punën për të pasur të qartë ecurinë e mëtejshme dhe zinxhirin e projekteve që do të pasojnë njeri tjetrin me qëllim që hapja e këtij sipari me vijën bregdetare të Vlorës të shoqërohet me zhvillime të reja dhe intensive përgjatë gjithë territoreve të këtyre tre bashkive tanimë shumë të rëndësishme për nga potencialet por edhe përgjegjësia në gjithë vijën bregdetare të Vlorës, ku Vlora është qendra e gravitetit.

Shumë shpejt do të fillojmë edhe një ndërhyrje të re, projektin e ndërtimit të disa zonave dhe fushave sportive pranë shkollave këtu në Vlorë, që përbën vetëm fillimin e rrjetit të sistemit parauniversitar.

Durimi juaj, që nuk është një durim karakteristik për vlonjatët, do të thotë se projekti e paska merituar vëmendjen tuaj. Ne do ta ndjekim realizimin e projektit atje ku hoqëm 45 mijë metra kub inerte dhe ku çliruam sipërfaqe, gjyshet e Vlorës që deri në moshën 100-vjeçare nuk lodhen duke bërë shëtitje, do të arijnë ta shijojnë që nga vjeshta e ardhshme.

Brenda këtij mandati të parë të qeverisë, – garantoi Kryeministri – ne do të bëjmë të mundur që t’i japim mundësi gjeneratës së re se çfarë potencialesh të jashtëzakonshme kemi për ta zhvilluar këtë qytet dhe sesa me shumë fat është kushdo që rritet këtu në Vlorë.”

Ministrja Gjermeni: Projekti i Vlorës, vetëm fillimi, do ta bëjmë edhe në qytete të tjera

Ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni, pasi ka dëgjuar prezantimet e studios belge dhe asaj shqiptare “Metropolis”, tha: “Pamë një prezantim të bukur e do të doja t’i jepja një falenderim studion belge dhe asaj shqiptare “Metropolis”. Them që të gjitha potencialet për zhvillimin e turizmit janë këtu dhe ky projekt u shtohet potencialeve të Vlorës. Projekti ka qënë i hapur dhe në bashkëbisedim të të gjithë, sepse duhej që ai t’i përshtatje Vlorës dhe kontekstit të saj. Ky projekt do të jetë “pilot” për ne për të përmirësuar qytetete shqiptare dhe kthyer në vende turizmi. Ky projekt që do të nisë në vjeshtë, – tha Gjermeni, – është premtim i mbajtur në një kohë rekord për rigjalërrimin e zonave urbane dhe ruale që ofrojnë potenciale turistike të jashtëzakonshme.”

Shtuar më 05/08/2014, ora 22:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori