Arrestimi i Amant Josifit, Berisha: Gledis Nano dhe Helidon Bendo u shkarkuan për shkakun e tij

Ish-kryeministri Sali Berisha, këtë të premte, gjatë konferencës me gazetarët është ndalur në arrestimin e Amant Josifit.

Berisha deklaroi se “Gledis Nano dhe Helidon Bendo u shkarkuan për shkak të skemës piramidale të Olsi Ramës dhe Amant Josifit”.

“Skema piramidale e Olsi Ramës dhe Amant Josifit shkon në një vjedhje prej 2.4 miliardë euro. Kjo skemë piramidale, në të cilën thuhet se janë vjedhur mbi 200 mijë qytetarë europianë në Spanjë, Gjermani dhe Itali, është realizuar nga i quajturi grup Milton, i cili kishte 15 qendra call-center në Ukrainë, Gjeorgji dhe në Shqipëri.

Por, për habinë tuaj, vend lider ishte Shqipëria.

Nga 15 qendra që kishte piramida Milton, 6 apo 40 përqind i kishte në Shqipëri.

Shërbimet partnere prej kohësh u përpoqën që në Shqipëri të bëjnë hetime, kjo ishte krejtësisht e pamundur sepse grupi Milton në Shqipëri ishte direkt në patronimin e Olsi Ramës, për rrjedhojë të Edi Ramës.

Përpjekjet e zyrtarëve shqiptarë për të krijuar hapësirën e nevojshme për hetimin e kësaj çështje, hasën në shkarkimin e tyre.

Ish-drejtori i përgjithshëm i policisë u shkarkua në mënyrë brutale nga detyra vetëm sepse ai, informacionin që mori nga partnerët, e dërgoi në destinacionet e duhura.

Helidon Bendo, edhe ai duket se largimi me urgjencë nga SHISH, ka lidhje me këtë superskandal ndërkombëtar.

Grupi i gazetarëve investigativë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është marrë gjerësisht me hetimin e këtij problemi.

Grupi i gazetarëve vendosi të shtrinte investigimin edhe në Shqipëri. Aty thonë se gjetën heshtjen e pazakontë nga policia shqiptare dhe SPAK.

Këta gazetarë trima dhe guximtarë, më 15 dhjetor 2022, publikuan në internet shkrimin: Kërkohet ish-zyrtari shqiptar në lidhje me mashtrimin në call-center.

Ata shkruajnë se u gjetën të shokuar nga mungesa e kooperimit të autoriteteve shqiptare, të cilat rrinin të heshtura. Artikulli lë të kuptohet se Amant Josifi gëzonte mbrojtje nga lart”, tha Berisha..


Shtuar 15.09.2023 12:58