Rama: Aksion për karburantin me cilësi të dobët, secili merr hakën që i takon
Në një konferencë për shtyp nga kryeministria, Rama paralajmëroi sot nisjen e aksionit në kompanitë që prodhojnë dhe shesin karburantin në vend. Rama bëri me dije se do të bëhet një kontroll i imtësishëm, për të parandaluar ndotjen e mjedisit, por edhe prishjen e automjeteve të qytetarëve.

“Do të ushtrohet kontroll në rafineritë e prodhimit dhe përpunimit të naftës. Do të kontrollohet cilësia e karburanteve. Do të ketë një kontroll rigoroz për naftën, tregtimin me shumicë, me pakicë. Do të ketë procedura të kontrollit sasior në rastet e eksportit si dhe me shoqëritë e prodhimit të naftës bruto, ku toleranca do të jetë zero”, tha Rama.

“Është një operacion që vjen në një moment shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë. Ky sektor ka një barrë të rëndësishme. Ky operacion do të kryhet me të njëjtën metodologji si operacioni i energjisë elektrike dhe i ndërtimeve të paligjshme. Bazohet në eksperiencën e 18 muajve, në analizën e bërë në këtë sektor dhe në një projekt shumë të qartë që nuk do të ndalet, sepse beteja me grabitësit e pasurisë sonë kombëtare është jetike për ekonominë kombëtare, për familjet tona dhe për cilësinë e mjedisit”, deklaroi ai.

Ai shtoi se nuk pajtohet me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin. “Ne do ti japim secilit hakën që i takon. Konsumatorëve hakën e tyre si qytetarët të këtij vendi, që ne u kemi detyrimin ta bëjmë përditë e më të jetueshëm dhe sipërmarrësve në këtë sektor u urojmë sukses, punë të mbarë, sa më shumë fitime por edhe të mos e marrin lehtë këtë operacion, sepse toleranca do të jetë zero dhe përballja me shtetin e ligjin do të jetë më e ashpër se asnjë herë tjetër”. /albeu.com/

Shtuar më 30/04/2015, ora 11:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori