Rajs: Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë
Albeu.com
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, tha se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo është e pamundur, tha Rajs në një intervistë për radion "Ekoja" e Moskës.Sekretarja amerikane i bëri këto komente gjatë vizitës së saj në Moskë, ku është takuar me Presidentin rus Vladimir Putin.
Duke komentuar pas bisedimeve, Sekretarja Rajs tha se kishte patur një bisedë të mirë me Presidentin Putin. Ajo tha se i kupton shqetësimet që rusët kanë për Kosovën, sidomos për pakicën serbe dhe "për atë që disa e shohin si mundësi për krijimin e një precedenti nga pavarësia e Kosovës". - Ne, tha zonja Rajs, do të përpiqemi t'i trajtojmë këto çështje në rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Por më në fund ka ardhur koha, tha ajo, që të bëjmë 'de jure' atë që ekziston tashmë 'de fakto' dhe këtë argument ia paraqita Presidentit Putin. Çështja është, tha Sekretarja amerikane e Shtetit, që të gjendet një mënyrë për të zgjidhur shqetësimet e tyre, duke bërë të mundur njëkohësisht që të ecet përpara. E pyetur nëse Moska mund të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit, zonja Rajs tha se nuk dëshironte të fliste në emër të Rusisë për të thënë se çfarë do të bëjë ajo. Por, theksoi zonja Rajs, duhet thënë se ne ende jemi duke biseduar dhe vazhdojmë të përpiqemi të zgjidhim shqetësimet reale. "Nuk mund t'ju them se çfarë do të bëjë Rusia më në fund", u deklaroi zonja Rajs gazetarëve.
Shtuar më 16/05/2007, ora 11:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori