Rama: Standardet e kriteret e BE-së janë katalizatori kryesor i reformave
Pas kryeministrit të Spanjës, Marioano Rajoy, Presidentit të Italisë, Sergio Mattarela dhe Presidentit të Kinës, Xi Jinping, ishte radha e kryeministrit Edi Rama në rolin e lektorit në Kolegjin e Europës në Bryzh, Belgjikë.

I ftuar t’i drejtohet auditorit me temë "Të mbajmë gjallë Ëndrrën e Europës së Hapur”, kryeministri Rama foli mbi kuptimin e Bashkimit Europian dhe procesin e zgjerimit në pikëpamjen shqiptare dhe rajonale.

Fusha e studimit në Kolegjin e Europës janë ato pasuniversitare, me fokus në çështjet politike, ligjore dhe ekonomike, europiane dhe ndërkombëtare. Ndër vite, në këtë Kolegj janë formuar personalitete që kanë mbajtur e mbajnë detyra të rëndësishme në Europë. Në traditën e Kolegjit, ndër kolegjet elitare në fushën e studimeve europiane, shënohen si lektorë emra të rëndësishëm të strukturave europiane, por ftesa të veçanta i drejtohen edhe liderëve politikë.

Fjala e kryeministrit, por sidomos sesioni i pyetje-përgjigjeve u prit me interes të gjerë. Pikëpamjet e kryeministrit u shtrinë nga domethënia e procesit të zgjerimit për rajonin e Ballkanit Perëndimor, reformat integruese dhe modernizuese të Shqipërisë, tek sfidat e Bashkimit.

Procesi i zgjerimit, për kryeministrin Rama, ka qenë një nga mjetet më të suksesshme transformuese të BE-së, ku 22 nga 28 shtetet anëtare u bashkuan përmes raundeve të ndryshme të zgjerimit.

“BE është fuqia transformuese e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në vendet e rajonit tonë, edhe pse ne nuk jemi ende pjesë e Bashkimit. Standardet e kriteret e BE-së janë katalizatori kryesor i reformave, të cilat udhëhiqen natyrisht, edhe nga vendosmëria jonë për t'iu bashkuar familjes europiane.

Pa mekanizmin e integrimit në BE, do të ishte absolutisht e pamundur të mbaheshin të gjitha këto vende në rrugën ku ata janë duke u mbajtur dhe për të nxitur reformat për modernizimin”.

Procesi i integrimit është një mjet unik për një vend si Shqipëria dhe për ish vendet komuniste në përgjithësi, për t’u demokratizuar dhe modernizuar. Për këtë, u shpreh kryeministri, nuk është çështja se kur do të mundemi të gjithë të vijmë në Bruksel, por se kur do të mundemi të jemi pjesë normale e familjes europiane, ndaj hapja e bisedimeve nuk përbën anëtarësi, nuk ka detyrime shtesë për BE, teksa për ne është thelbësore, bën të mundur mbajtjen e vendit dhe shoqërisë në rrugën e duhur.

Në kontekstin e reformave integruese, kryeministri veçoi reformën në drejtësi. “Tani jemi në fazën e parë të finalizimit të reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias është i pranuar nga të gjithë si një këshilltar mbi palët, ndaj jam besimplotë që do të kalojmë pengesat”.

Sot, në BE haset fenomeni i "lodhjes nga zgjerimi". Fenomen që, në nënvizimin e kryeministrit, mbart edhe rrezikun: “Kjo "lodhje nga zgjerimi" vë në rrezik fuqinë transformuese të BE-së mbi "europianizimin" e vendeve të rajonit.

"Lodhja nga zgjerimi", gjithashtu, i jep hapësirë politikanëve nacionalistë dhe islamizmit radikal në Ballkanin Perëndimor, që përdor neglizhencën e BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor për axhendën e tyre”.

I pyetur sa ndikon atmosfera rreth myslimanëve sot në Europë në procesin e integrimit, kryeministri theksoi se të tilla qëndrime lidhen më shumë me mosdijen dhe mungesën e njohurive mbi besimin fetar.

“Ne përballemi me një problem të madh, që lidhet me injorancën e brezit të ri apo të gjithëve ne bashkë, në lidhje me besimin fetar. Duhet të kuptojmë se rritja e partive anti-europiane bazohet shumë në këtë luftë dhe në injorancën e njerëzve që nuk dinë asgjë rreth islamit, kulturës, historisë së këtij besimi, ashtu si besimeve të tjera.

Në Shqipëri, ne punojmë së bashku me disa partnerë dhe miq, për të ndërtuar një paketë të laicitetit dhe kulturës së besimeve dhe ta fusim këtë në shkollë, për t’i dhënë fëmijëve dhe të rinjve, mjetet për të kuptuar dhe për të pasur opinionin e tyre”. /albeu.com/
Shtuar më 23/01/2016, ora 10:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori