Rama: Ka ardhur koha që vëllazëria në krim mes politikës dhe gjyqësorit të prishet!
Pas takimeve që pati me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, kryeministri Rama në një deklaratë për mediat tha se sot ka ardhur momenti i së vërtetës dhe i ndarjes së të shkuarës nga e ardhmja.

“Ka ardhur momenti që vëllazëria në krim mes politikës dhe gjyqësorit të prishet dhe të mos pranojmë më që gjykatës, të cilët kanë liruar kriminelë, të kalojnë testin e radiografisë”, tha Rama, duke iu referuar procesit të quajtur “vetting”.

Rama ka shtuar me tej se mos futja e duarve të partive në procesin e skanimit dhe vlerësimit të anëtarëve të sistemit të drejtësisë është shkak që shumica qeverisëse ka pranuar mos emërimin e gjykatësve me shumicë të thjeshtë dhe as me 3/5-tat">5-tat, por me 2/3-tat.

“PD-ja vazhdon të tregojë përralla nga frika e Reformës në Drejtësi. E dimë shumë mirë që të 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur nga qeveria e PD-së, ndërsa 16 nga 17 anëtarët e Gjykatës së Lartë po ashtu janë zgjedhur prej qeverisë së shkuar. Shumë prej tyre madje janë zgjedhur edhe me shumicë të thjeshtë, jo më me 3/5-tat">5-tat për të mos folur me 2/3-tat”, theksoi Rama.

Sa i përket kapjes së këtij sistemi, që Rama e quajti të kalbur, për këtë ai tha se më mirë se kushdo në politikë e dinë familjarët e viktimave të 21 Janarit, ata të Gërdecit, por edhe pronarët e ligjshëm dhe të zhveshur nga çdo pronë me vendime të tmerrshme gjykate.

“Ky nuk është një sistem drejtësie, por një pazar i madh ku drejtësia shitet”. Rama theksoi se dyert e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë janë të hapura, por me kushtin që kjo Reformë në Drejtësi të miratohet dhe të mos kalohet “vija e kuqe” e vendosur si e tillë jo vetëm prej shumicës qeverisëse, por e kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2016, ora 16:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori