Hakerat nuk kanë ndërmend të ndalen, publikojnë qindra certifikata të punonjësve të Ministrisë së Brendshme

Hakerat iranianë së fundmi kanë publikuar 214 certifikata elektronike ose dëshmi penaliteti në një prej kanaleve të Honland Justice në Telegram.

Dokumente mendohet se janë prodhuar nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Disa ditë më parë hakerat iranianë publikuan një listë me të dhënat e patentave të shtetasve shqiptarë. Në listë, shfaqen ndër të tjera emrat, mbiemrat, vitet e lindjes, adresat si dhe targat e automjeteve të shqiptarëve.

Më herët, hakerat iranianë publikuan të dhënat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Po ashtu faqja Homland Justice, publikoi dhe të dhënat të nëndrejtorit të ri të SHISH Oljan Kanushi.

Që prej vitit 2021, Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike. Një sulm kibernetik u shënua më 15 korrik të këtij viti, që bllokoi të gjitha faqet zyrtare shtetërore dhe platformën e shërbimeve online e-Albania.

Ndërkohë, më 14 shtator u sulmua sistemi TIMS në të gjitha pikat kufitare të vendit. Për këto sulme Shqipëria ka fajësuar Iranin dhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet.