Nëse demokracitë qëndrojnë të patundura, lufta e Putinit kundër Ukrainës do të dështojë

Nga Simon McDonald, Christoph Heusgen, Stéphane Abrial, Jim Jones & Stefano Stefanini

The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kur Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt 2022, ai shkeli në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar, dhe kreu një shkelje edhe të statutit të OKB-së. Duke ia mohuar Ukrainës të drejtën për të ekzistuar, ai përdori një forcë masive në përpjekje për ta zhdukur atë nga harta e Evropës, duke lënë një gjurmë gjithnjë në rritje të abuzimeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe krimeve të luftës.

Një vit më vonë, Putin nuk ka hequr dorë nga objektivi i tij për të vendosur nën kontroll Ukrainën. Ai beson se ka më shumë fuqi se sa Ukraina dhe koalicioni ndërkombëtar që e mbështet atë. Nëse do t’ia dilte, nuk ka dyshim se Putin do t’i hidhte më pas sytë nga Moldavia dhe ndoshta shtetet baltike, duke rritur rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Një fitore ruse në Ukrainë, do të minonte rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe parimet themelore të integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për pushtimet territoriale diku tjetër. Megjithatë, nëse vendet që e mbështesin Ukrainën miratojnë strategjinë e duhur dhe mbeten të palëkundura në zbatimin e saj, Putini do të dështojë.

Sepse ai e nënvlerëson tërësisht fuqinë e lirisë. Putin përballet me kundërshtime të guximshme nga forcat pro-demokratike. Në Ukrainë, por edhe në Bjellorusi, Moldavi, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan, Azinë Qendrore dhe madje edhe në vendin e tij.

NATO është e bashkuar dhe më e fortë se para konfliktit, ashtu siç është edhe BE-ja. Aleatët e Rusisë, si Irani dhe Koreja e Veriut janë politikisht dhe ushtarakisht më të dobët. Kina nuk është e gatshme t’i ofrojë Putinit një mbështetje të plotë ushtarake. Liria bart një joshje të jashtme më të fortë se sa tirania.

Por fitorja nuk është e paracaktuar. Liria duhet mbrojtur. Luftëtarët ukrainas duhet të mbështeten me të gjitha mjetet, përfshirë ushtrinë. Në Konferencën e sivjetshme të Sigurisë në Mynih, udhëheqësit transatlantikë pohuan se Ukraina “duhet ta fitojë këtë luftë”. Por një deklaratë e mbështetjes së palëkundur nuk mjafton.

Veprimet nuk po arrijnë ende që të përputhen me retorikën.  Nivelet aktuale të mbështetjes ushtarake do të prodhojnë vetëm një ngërç në fushën e betejës. Putin i bëri llogaritë gabim, kur mendoi çdo aspekt të luftës përpara se të niste pushtimin në shkallë të plotë vitin e kaluar. Ai mendonte se ushtria e tij ishte e fortë, Kina një partnere e qëndrueshme, Perëndimi ishte i përçarë dhe Ukraina e përbuzur në skenën ndërkombëtare.  Nuk mund të gabonte më shumë sesa kaq. Tani, shpresa e tij e vetme është që vendosmëria e tij do të jetë më e madhe se ajo e kundërshtarëve të tij, dhe që ai do të mundet të fitojë në një luftë rrënuese. Ne duhet t’ia vërtetojmë edhe një herë se e ka gabim.

Ne duhet të bëjmë maksimumin në mbështetjen tonë për Ukrainën. Koalicioni i shteteve që mbështesin Ukrainën ka qenë mbresëlënës, por kjo nuk është koha për t’u vetëkënaqur. Ne duhet të sigurojmë armët dhe municionet që i duhen Ukrainës për të luftuar, dhe ta mposhtim Putinin në luftën që ai ka nisur prej më shumë se 1 viti.

Sa më shpejt që Putin ta kuptojë se nuk do t’i arrijë objektivat e tij në Ukrainë, aq më shpejt mund të arrihet paqja, dhe aq më shpejt do të marrin fund vuajtjet e popullit ukrainas. Ukraina ka nevojë për forcën e kombinuar të tankeve, raketave me rreze më të gjatë dhe avionëve për të kryer një kundërsulm të suksesshëm, gjë që do t’i hapte rrugën fitores së Ukrainës dhe negociatave të paqes me kushte të pranueshme.

Kur flasim për negociatat e mundshme të paqes, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj rolit që luan Kina në këtë konflikt. Pekini po ndihmon tashmë operacionet ushtarake të Putinit, duke i ofruar ndihmë jo vdekjeprurëse, dhe duke e lejuar Korenë e Veriut të transferojë armë në Rusi.

Parashikimi i John Mccain në vitin 2014, se Rusia do të shërbente si “stacion karburanti ” i Kinës po rezulton gjithnjë e më i vërtetë. Gjatë vizitës së fundit të Xi Jinping në Moskë , Rusia dukej e kënaqur të luante rolin e partnerit të vogël të Kinës. Por ne s’duhet të kemi iluzione:duke qenë e kujdesshme ndaj demokracisë dhe skenarit se mos Rusia bëhet një shoqëri e hapur, Kina ka çdo lloj interesi që të mbajë në pushtet Putinin.

Për t’iu kundërvënë Moskës dhe Pekinit, ne duhet të jemi shumë më aktivë jashtë komunitetit transatlantik. Në shumë pjesë të botës, Kina dhe Rusia janë të suksesshme në bindjen e qeverive dhe publikut për narrativat e tyre, duke e fajësuar NATO-n për luftën në Ukrainë dhe akuzuar aleatët e SHBA-së dhe evropianëve për praktika neokoloniale dhe standarde të dyfishta në politikat e tyre të jashtme.

Ne duhet të vendosim në qendër të vëmendjes aktivitetin keqdashës të Rusisë dhe Kinës, dhe të punojmë në partneritetet tona me vendet në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi, duke u angazhuar vazhdimisht me ta, duke vazhduar të adresojmë dështimet e së kaluarës dhe mbajtur premtimet që kemi bërë, si për programet e mbrojtjes së klimës ashtu edhe pasjen e institucioneve ndërkombëtare më gjithëpërfshirëse.

Nuk është më e pranueshme që Gjermania dhe Italia të mos shpenzojnë 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje. Dhe buxheti i vitit 2024 do të jetë një test domethënës. Ndërkohë  Evropa duhet të përmbushë premtimet e saj të vjetra për forcimin e aftësive evropiane të mbrojtjes.

Putini shpreson shumë tek “lodhja nga Ukraina” në SHBA. Ai duhet të provohet se e ka sërish gabim. Në frontin ekonomik, BE, SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë, vendosën sanksione të forta me një shpejtësi të paparë, dhe ato e degraduan ndjeshëm aftësitë ushtarake të Rusisë dhe e dobësuan ekonominë e saj.

Por, si një qendër globale financiare, Britania ka më shumë punë për të bërë në zbatimin e sanksioneve, pasi regjimi aktual i sanksioneve ka ende shumë të çara. Duke rritur furnizimet nga Mesdheun, Italia mund të ndihmojë në forcimin e sigurisë evropiane të energjisë.

Vladimir Putin e nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës me besimin e gabuar se Ukraina do të mposhtej brenda pak javësh. Më shumë se një vit më vonë, uniteti dhe qëndrueshmëria e Ukrainës përballë agresionit të Rusisë, kanë treguar fuqinë e jashtëzakonshme që ka ky vend.

Në vend se të sundojë një perandori, Putini është shndërruar në një të kërkuar në nivel ndërkombëtar, duke u përballur me një urdhër arresti për krimet e tij të luftës, të lëshuar

nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Megjithatë, për të vazhduar luftën për liri dhe për ta mposhtur Putinin, Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje. Partnerët e Ukrainës duhet të rritin mbështetjen e tyre. Kur liria është e pajisur më mirë se sa tirania, atëherë fitorja e saj është e garantuar.

Shënim:Simon McDonald, ish-ambasador i Britanisë së Madhe në Gjermani. Christoph Heusgen drejtues i Konferencës së Sigurisë në Mynih. Stéphane Abrial, ish-shefi i shtabit të forcave ajrore franceze. Jim Jones, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit Barack Obama. Stefano Stefanini, ish-këshilltar diplomatik i presidentit italian Giorgio Napolitano.


Shtuar 18.04.2023 12:29