Qytetarët që jetojnë nga taksapaguesit
Albeu.com
Sipas Rregullores 2001/19 mbi Ekzekutivin - Rexhepi, Haradinaj e Kosumi gëzojnë statusin e privilegjuar. Lista e emrave që do të gëzojnë statusin dhe privilegjet e ish-kryeministrave të Kosovës mund të zgjatet pafund.nga SERBEZE HAXHIAJ &VALMIR KLAIQI, Lajm

Qeveria e Kosovës duhet të lëshojë bukur shumë zyra nga hapësira e saj për ish-kryeministrat, po qe se vazhdon të aplikohet një rregullore që përcakton statusin dhe privilegjet e personave që kanë qenë në krye të Ekzekutivit kosovar.
Për dallim prej vendeve tjera, që një ish-kryeministri i lejohen disa privilegje për një kohë sa zgjat një mandat qeveritar, në Kosovë ka tre ish-kryeministra që i gëzojnë këto privilegje dhe që nuk dihet saktësisht për sa kohë do të kenë këtë status.
Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj dhe Bajram Kosumi - që të tre e gëzojnë statusin e ish-kryeministrit.
Vendimi nr. 8/2004, për përcaktimin e statusit të ish – kryeministrit, i nënshkruar nga ish-kryeministri Ramush Hardinaj, me të cilin atyre buxheti i Kosovës ua lejon të marrin nga 800 euro rrogë, të kenë një zyrë, një veturë, truprojë, asistent, linjë interneti dhe gjëra të tjera të domosdoshme për një zyrë të punës.
Përveç këtyre, Rexhepi, Haradinaj e Kosumi kanë edhe të drejtën të konsiderohen “persona shumë të rëndësishëm” (VIP) në Kosovë dhe me këtë ata do ta kenë të drejtën e trajtimit special në rrugë dhe në aeroport.
Të tre këta persona do të kenë nga një zyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por nuk dihet për sa kohë saktësisht do të kenë këto privilegje dhe sa prej këtyre e shfrytëzojnë këtë masë të të drejtave që gëzojnë me rregullore.
Fitim Krasniqi, ushtrues detyre i sekretarit permanent të Qeverisë, tha se është një rregullore që është votuar nga Parlamenti i Kosovës dhe, derisa nuk merret ndonjë vendim tjetër, çdo kryeministër që bie nga posti i kreut të Ekzekutivit, do t’i ketë këto privilegje.
”Shpenzimet për ish-kryeministrat do t’i heqë Zyra e Kryeministrit aktual, e cila për këtë vit ka një buxhet prej 2.900. 000 eurosh. Këtë privilegj nuk e kanë ish-ministrat, zv/kryeministrat dhe ushtruesit e detyrës së kryeministrit”.
Bazuar në rregulloren nenit 1.3, pika ‘ç’, të rregullores 2001/19 mbi Ekzekutivin, e aprovuar me 13 shtator 2001, këto privilegje duhet t’i gëzojë personi që të paktën për një vit ka qenë kryeministër. Në bazë të kësaj rregullore është vetëm një ish-kryeministër (Bajram Rexhepi) e jo tre, që do duhej t’i gëzojë këto privilegje, që do të thotë se në këtë rast Haradinaj e Kosumi nuk i përmbushin kriteret.
Ideja që ish-kryeministri ta ketë një zyrë të veten, ka dalë së pari si një propozim, i cili menjëherë ka gjetur përkrahjen e shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen – Petersen, dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë penguar themelimin e kësaj zyre, madje qysh në fillim, të gjitha përgjegjësitë për të vendosur për këtë ia kanë hedhur Qeverisë së Kosovës.
Qeveria pati nxjerrë vendimin nr. 8/2004 për përcaktimin e statusit të ish-kryeministrit. Qëllimi i këtij vendimi, sipas kësaj rregulloreje, është krijimi dhe definimi i të drejtave dhe privilegjeve speciale të një ish-kryeministri.
Bajram Rexhepi, ish-kryeministër i parë i Kosovës, që ka mbajtur për tri vjet këtë post e që ligjërisht do të duhej të ishte kryeministri i vetëm me ketë status, për momentin merr 70 për qind të pagës, por nuk ka zyrë të veten.
“Unë i kam gëzuar deri më tani disa privilegje. Deri më tani zyra ime ka qenë në ndërtesën e Raifessen Bank, por tani ka skaduar kontrata dhe më kanë thënë se duhet të bëj një kërkesë për një zyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës”.
Ai nuk ka dashur të flasë për rregulloren që ka nxjerrë Haradinaj dhe as për ligjshmërinë e saj. Rexhepi për këtë ka drejtuar gishtin nga Zyra ligjore e UNMIK-ut.
Dy ish-kryeministrat, Hardinaj e Kosumi, kanë nga një zyrë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, por që nuk i shfrytëzojnë, megjithatë ata marrin rrogat dhe mbajnë asistentët dhe truprojat që paguhen nga Buxheti i Kosovës.
Ligjërisht të drejtat dhe privilegjet e veçanta të vendosura me këtë rregullore do të duhej t’i gëzojë një ish-kryeministër gjatë një periudhe ekuivalente me periudhën e mandatit të Kuvendit, menjëherë nga data kur ai pushon së udhëhequri zyrën e kryeministrit.


Zyrat e ish-kryeministrave

Sipas rregullores që e ka nxjerrë ish-kryeministri Ramush Haradinaj, zyra e ish-kryeministrit të ketë: ngrohje dhe klimë adekuate; një tavolinë pune; një tavolinë të vogël; një karrige pune dhe dy karrige për vizitorë; dy rafte për libra; dy dollapë; një kompjuter me pajisjet shoqëruese (printer, skaner, lidhje me internet); një linjë telefonike me qasje ndërkombëtare (me kusht që shuma mujore e shpenzimeve telefonike nuk e tejkalon vlerën prej 300 eurosh) dhe një fax-aparat.
Shtuar më 22/03/2006, ora 23:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori