Qeveria shqiptare respekton të drejtat e njeriut, ajo maqedonase ka patur probleme në disa fusha
Pëlqej
Albeu.com
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit me titull "Mbështetja e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë për vitin 2004-2005" u bë publik dje në Uashington.Raporti i paraqitet çdo vit Kongresit nga Departamenti i Shtetit dhe ka si synim te njoftojë mbi veprimet e ndërmarra nga qeveria amerikane për të inkurajuar respektin për të drejtat e njeriut.
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se Qeveria shqiptare në përgjithësi respekton të drejtat e njeriut të qytetarëve të vet, megjithatë ka pasur probleme serioze. Pati një numër rastesh të dokumentuara në të cilat policia rrahu dhe abuzoi të akuzuarit, të ndaluarit dhe të burgosurit. Kushtet në burgje vazhdojnë të jenë të rënda. Policia në disa raste arrestoi e paraburgosi persona në mënyrë arbitrare. Mbajtjet për një kohë të gjatë para gjyqit dhe mos ndëshkimi zyrtarisht ishin probleme.
Qeveria herë herë shkeli të drejtat e jetës private. Është njoftuar gjithashtu se policia përdori forcë të tepëruar kundër protestuesve. Veprime të ndryshme individuale, në shumicën e rasteve të lidhura me gjakmarrjen, rezultuan në disa vrasje dhe në krijimin e një atmosfere frike në disa rajone të vendit. Diskriminimi në shoqëri kundër pakicës rome, komunitetit egjiptian dhe homoseksualëve vazhdoi.
Dhuna dhe diskriminimi kundër grave dhe fëmijëve ishin probleme serioze; edhe punësimi i të miturve ishte problem. Trafikimi i personave vazhdoi të ishte problem, rreth të cilit qeveria mori disa masa.
Në pjesen per Maqedonine theksohet se gjatë vitit 2004, Shtetet e Bashkuara i përqëndruan përpjekjet në nxitjen e qeverisë për të miratuar pjesët e mbetura të marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001.
Në Maqedoni, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për nxitjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë, qeveria në përgjithësi i respekton të drejtat e qytetarëve, megjithëse ka patur probleme në disa fusha. Zyrtarët e policisë herë pas here i keqtrajtojnë të ndaluarit gjatë arrestit. Por në ndryshim nga vitet e mëparshme, arrestimet arbitrare dhe periudhat e gjata të paraburgimit nuk kanë qënë të shpeshta. Në disa raste, thotë raporti, procesi i hetimit dhe ndjekjes së agjentëve shtetërore dhe civilëve për shkelje të të drejtave të njeriut nuk ka qënë i efektshëm.
Qeveria vazhdoi bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Dhuna dhe diskriminimi i grave, veçanërisht në komunitetet roma dhe shqiptare vazhdoi të përbëjë problem, ashtu siç vazhdoi edhe diskriminimi shoqëror ndaj pakicave përfshirë romët, shqiptarët dhe turqit.
Trafikimi i personave vazhdoi të ishte problem, të cilin qeveria po vazhdon ta luftojë me agresivitet. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Maqedoni ka luajtur një rol të rëndësishëm për kalimin e këtij vendi nga një vend i paqëndrueshëm dhe etnikisht i ndarë, në një vend që aspiron të anëtarësohet në Nato dhe në Bashkimin Evropian.
Strategjia e Shteteve të Bashkuara për vitin 2004-2005, thuhet në raport është nxitja e qeverisë për të miratuar pjesët e mbetura të marrëveshjes së Ohrit. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihma të mëdha financiare për vitin 2004 në mbështetje të procesit të decentralizimit. Mbështetja e fuqishme e Amerikës për Marrëveshjen e Ohrit ndihmoi qeverinë e Maqedonisë të arrijë marrëveshjen për ndarjen e kufijve të komunave në muajin gusht.
Njohja nga Shtetet e Bashkuara e emrit të Maqedonisë, ndihmoi në pakësimin e mbështetjes për referendumin për decentralizmin që do të kishte dëmtuar marrëveshjen e Ohrit. Me këmbënguljen e qeverisë amerikane, thuhet më tej në raport, autoritetet rihapën hetimet për disa raste të bllokuara siç ishte vrasja e 7 emigrantëve aziatikë, apo arrestimi i ish Ministrit të Brendshëm Boshkovski i akuzuar si organizatori i krimit.
Shtuar më 29/03/2005, ora 18:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori