Qeveria shqiptare mblidhet ne Shkoder, ja konkluzionet
Albeu.com
Pas dëmeve të mëdha të shkaktuar në veri të vendit si pasojë e përmbytjeve, kryeministri Berisha ka renditur një sërë vendimesh që sipas tij do evitojnë situata të tilla.Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar në Shkodër Berisha ka deklaruar se do realizohet një tender ndërkombëtar për thellimin e lumit Buna dhe shdërrimin e saj në të lundrueshëm. "Duhet të realizohet sa më parë një tender ndërkombëtar për thellimin e Bunës dhe shndërrimin e saj në të lundrueshem si një shekull me parë. Kjo vepër do mbrojë Shkodrën nga motet e mëdha , por edhe do të krijojë mundësinë e një prej udhëtimeve më të bukura turistike ", u shpreh ai.

Po ashtu, kreu i qeverisë ka kërkuar studimin e argjinaturave dhe të gjendjes së tyre, në zonat si Ana e Malit apo Obot.

Numri 1 i qeverisë ka kërkuar një studim urbanistik në mënyrë që të mos ndërtohet më në zonat ku rreziku është tepër i madh.

Ndërkaq kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se derdhja e ujrave në veri është bërë me paralajmërim të plotë. " Lëshimi i ujrave është bërë me paralajmërimin e plotë të banorëve. Një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetën e njerëzve", u shpreh ai.

Kreu i qeverisë ka theksuar edhe një herë se shkak i përmbytjeve në veri kanë qenë reshjet e mëdha. Ai vlerësoi menaxhimin e digave si të shkëlqyer. "Shkak i përmbytjeve kanë qenë reshjet, që u cilësuan si të shkallës së dytë. Kjo është një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet", pohoi ai.

Berisha ka garantuar se qeveria do të zhdëmtojë çdo qytetar të prekur nga përmbytjet. "Askënd të mos e mundojë dhimbja e mallit të dëmtuar, sepse do e kompensojmë atë një më një", shtoi ai.

Kryeministri cilësoi operacionin e shpëtimit të zhvilluar në zonat e përmbytura në veri të vendit, si më të madhin të kryer ndonjëherë, që bëri të mundur atë që është më e rëndësishme, shpëtimin e jetës njerëzore.
Kryeministri tha se situata në veri është një sfidë, së cilës do i jepet zgjidhja më e mirë.

Berisha ka falenderuar ministrat, anëtarët e qeverisë, krerët e komunave, anëtarët e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit për ndihmën dhe efiçencën e dhënë në mbështetje të banorëve.
Berisha tha se thirri këtë mbledhje qeverie në Shkodër si dëshmi e solidaritet dhe vendosmërisë së Këshillit të Ministrave për të mbështetur zonat e përmbytura në mënyrën më të fuqishme.
Shtuar më 13/01/2010, ora 20:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori