Qeveria ndryshon ligjin, tokat shtetërore mund të shiten edhe pa ankand
Përmes një ndryshimi në Aktin Normativ me fuqinë e ligjit, të miratuar në vitin 2008 për privatizimet, Këshilli i Ministrave u jep të drejtën subjekteve të përfitojnë edhe pa ankand apo tender një pasuri shtetërore.

Synimi i kësaj shtese është zgjerimi i konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, apo edhe të ankandit, parashikon edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit”, pra duke ia kaluar direkt një investitori të interesuar pronën shtetërore, në përputhje me kritere që i përcakton sipas rastit të caktuar Këshilli i Ministrave.

Në relacionin që shoqëron ndryshimin, Këshilli i Ministrave sqaron se një masë e tillë është marrë për t’u rritur investitorëve sigurinë në respektimin e së drejtës së pronës në vend.

Vetëm pak javë më parë Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime të tjera të rëndësishme lidhur me pronat publike, duke u dhënë të drejtën subjekteve që kanë kontrata qiraje apo kontrata simbolike një euro të privatizojnë pasurinë nëse përmbushin disa kushte.

Relacioni

Qeveria duke argumentuar qellimin e ketij ndryshimi, thekson se behet fjale per toka te vogla. “Kjo nismë merr shkas nga vullneti i mirë për të adresuar disa problematika që ndeshen aktualisht me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e
përgjithshme vendore. Konkretisht, në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Por këto sipërfaqe
toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara.

Kjo, sepse investimet private pengohen nëse investimi nuk do të përfshinte edhe këto sipërfaqe të vogla shtetërore, një pjesë e mirë e të cilave prej kohësh rezulton të ketë humbur edhe funksionet për të cilat janë përdorur dikur.

Vlen të përmendim këtu se problematika e regjimit të pronës në Shqipëri dhe e sigurisë juridike që lidhet me pronat është një problematikë e kahershme dhe e trashëguar, që fatkeqësisht vazhdon ende të pengojë realizimin e shumë investimeve me potencial të lartë për vendin.

Në shumë raporte ndëkombëtare, të tilla si raporti i përvitshëm “Doing Business”, theksohet se problematika e çështjes së pronave dhe e sigurisë juridike që lidhet me to pengon tërheqjen e investimeve të huaja dhe të investimeve të rëndësishme nga Shqipëria.

Ndaj, nisur nga fakti se regjimi juridik i pasurive të paluajtshme ndryshon në funksion të llojit apo të mënyrës së përdorimit të tokës (p.sh. tokë truall, tokë bujqësore, pyje, kullota, livadhe, toka të pafrytshme), propozimi për këtë rast është që shtesat dhe ndryshimet të kryhen pikërisht duke amenduar aktin normativ nr.4, të ndryshuar, që prek privatizimin e pronave të institucioneve shtetërore.

Kjo rrugë do të ishte rruga më efiçente nga pikëpamja e sigurisë juridike, duke ofruar, gjithashtu, qëndrueshmëri dhe një adresim afatgjatë të këtij shqetësimi.

Me qëllim që objektivat e këtij projektligji të mund të arrihen, lind nevoja për të miratuar këto shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr.3/2015”, thuhet ne relacionin bashkengjitur projektligjit. /Koha Jonë/
Shtuar më 22/04/2019, ora 16:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori