Qeveria miraton ndryshimet në Kodin e Punës
Shqipëria do të ketë një Kod Pune të standardeve perëndimore, i cili i përgjigjet zhvillimeve të kohës. Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për disa ndryshime në Kodin e Punës”, i cili sjell një sërë risish pozitive, duke rritur ndjeshëm garancitë ligjore dhe të shëndetit në punë për punëmarrësit.

Projektligji që vjen si nismë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, prek disa kapituj të Kodit të Punës, kryesisht ato që rregullojnë marrëdhëniet e punës mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, çështjen e pagesës për punët e vështira dhe në orët e vona, lejen e lindjes dhe shëndetit në punë, si dhe punësimin e përkohshëm.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka deklaruar se ndryshimet në Kodin e Punës janë produkt i një pune gati dy vjeçare, si dhe e ka cilësuar një dokument modern që ofron më shumë mbrojtje për punëmarrësit.

Më konkretisht, 11 risitë që sjell Kodi i Punës parashikojnë zhvillime pozitive sa i takon trajtimit të lejes vjetore dhe lejeve të lindjes. Në Kod sanksionohet se çdo punëmarrës gëzon të drejtën për të marrë lejen vjetore dhe kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar. Ndërkohë që për çdo gjashtë orë pune, punëdhënësit do të kenë detyrimin të garantojnë një periudhë pushimi për punëmarrësit.

Lidhur me lejen e lindjes, në Kod është propozuar ndryshimi që i jep të drejtën të dy prindërve të gëzimit të lejes së përkujdesit për fëmijën e sapolindur. Prindërit, tani mund të marrin dyfishin e raportit mjekësor pushim, për fëmijët deri në moshën 6 vjeçare kanë të drejtë të marrin leje të papaguar jo më pak se katër muaj.

Gjithashtu, Kodi sjell detyrimin ligjor që ndryshimi i kontratës së punës mund të bëhet vetëm me shkrim. Një zhvillim, i cili rrit mbrojtjen në punë dhe në proceset gjyqësore për punëmarrësit. Po ashtu, është parashikuar që pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marin dy orë leje në ditë të paguar. Pra, mund të punojnë gjashtë orë dhe të paguhen për tetë orë. Një risi tjetër janë agjencitë e punësimit të përkohshëm, të cilat sigurojnë mbrojtje ligjore për të gjithë personat që deri më sot kanë punuar të pambrojtur, si hidraulikët, elektriçistët, pastrueset, babysitter-at, punëtorët e ndërtimit me ditë, etj.

Për herë të parë, me këto ndryshime parashikohet rregullimi i punës në distancë, ose të kryer nëpërmjet kompjuterit, duke i krijuar mundësi të reja, por edhe mbrojtje veçanërisht të rinjve. Një tjetër risi është edhe ajo që prek nxënësit e arsimit profesional. Për këtë kategori nxënësish, që në përputhje me sistemin dual gjerman do të kryejnë praktikën mësimore pranë një subjekti, këtej e tutje do të paguhen.

Me ndryshimet e miratuara sot në Kodin e Punës vijnë dhe disa përcaktime të tjera moderne që synojnë ndalimin e diskriminimit në punësimin dhe formimin profesional. Kështu, parashikohet lënia e barrës së provës punëdhënësit për marrjen e masave me qëllim respektimin e parimit të mosdiskriminimit. Ndër të tjera, parashikohet edhe përcaktimi i saktë dhe i plotë i rasteve të “shqetësimit seksual” në mjedisin e punës.

Projektligji i miratuar sot në mbledhjen e qeverisë pasqyron propozimet e paraqitura nga partnerët socialë, problemet e zbatueshmërisë së dispozitave të Kodit të Punës, disa elemente të rëndësishme të Acquis të BE-së për sigurinë dhe shëndetin në punë, ndalimin e diskriminimit, si dhe mbrojtjen e veçantë të grave dhe rekomandimet e Komitetit të Ekspertëve të së Drejtës Sociale të Këshillit të Evropës. /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2015, ora 17:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori