Njohja e targave, Hill: Jemi të zhgënjyer dhe shqetësuar që Kurti nuk e shtyu afatin

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar nga vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të mos zgjatur afatin për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe, pavarësisht thirrjeve nga SHBA dhe BE.

Sipas Danas, Hill u shpreh se SHBA së bashku me partnerët ndërkombëtarë ka kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin e zbatimit për rigjestrimin e targave.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashke më partnerët e saj ndërkombëtarë, ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e riregjistrimit të veturave. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë kërkesat dhe këshillën e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë, për këtë çështje”, ka thënë Hill.

Ambasadori theksoi se mirëpret vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbinë, nën ndërmjetësimin e Brukselit dhe u ka bërë ftesë të dy palëve të vazhdojnë të marrin pjesë në dialog.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më herët u bëri thirrje autoriteteve të Prishtinës që të shtyjnë afatin. Ai ritheksoi se SHBA-ja e përkrah plotësisht iniciativën franko-gjermane për dialog ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke thënë se pret momentin kur publiku të njihet zyrtarisht me të.