Qeveria e re, i jepet “Ok” programit
Para dërgimit në Kuvend të programit të tij qeverisës, më 2 dhe 3 shtator Edi Rama bashkë me ministrat e tij do t’i japin "Ok" programit të 100 ditëve të para të qeverisjes. Pasi kanë përcaktuar prioritetet e punës së tyre në çdo ministri, në një diskutim të hapur dyditor mes tyre, ministrat do të diskutojnë se cilat janë masat më të mira për të frenuar situatën aktuale në ekonomi, rend, polici, arsim, shëndetësi etj.


Të gjithë ministrat mësohet se kanë përfunduar ato porosi dhe problematika që kishin dalë në mbledhjen e 10 ditëve më parë të zhvilluar në Vlorë, duke i hedhur në një plan të detajuar pune.

Si dhe në Vlorë, takimi dyditor i Durrësit do të zhvillohet në një hotel. Kabineti qeveritar dhe stafi mbështetës do të akomodohen në hotel “Coloseu” pranë Shkëmbit të Kavajës, ndërsa axhenda e këtij takimi është ndryshuar vetëm ditët e fundit. Kryeministri i zgjedhur, Rama, kishte menduar që takimin e dytë me ministrat e emëruar prej tij ta zhvillonte në qytetin e Shkodrës, i cili ashtu si Vlora mbartte një tjetër simbolikë.

Për herë të parë pas 1992-shit, Partia Socialiste nuk kishte fituar në shumicë në këtë qark. Shkodra kishte mbetur një bastion besnik i Partisë Demokratike. Rilindja e Edi Ramës, që niste nga Vlora e Pavarësisë, do të vijonte dhe me Shkodrën, që kishte shënuar përmbysjen në nisjen e 100-vjetorit të dytë të historisë së shtetit shqiptar. Kjo ishte simbolika që Rama kërkonte të tregonte përmes mbledhjes së qeverisë në qytetin e Shkodrës.

Por zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Rrethina të Shkodrës e detyruan Kryeministrin e ri të ndryshojë destinacion, për ta zhvilluar mbledhjen e dytë të tij me ministrat dhe ndoshta të fundit pa mandat të Kuvendit, në qytetin e Durrësit. Jashtë diskutimeve në këtë takim pritet të mbetet struktura e çdo ministrie, pasi ajo pritet të pësojë ndryshime pas nisjes së punës nga çdo ministër. Ende nuk dihet se sa zv.ministra do të kenë ministritë dhe çfarë drejtorish do të përfshihen në to, pasi dhe numri i drejtorëve lidhet me linjën e varësisë së zv.ministrave.

Por zëvendësministrat e qeverisë së re pritet të jenë figura pa përvojë qeverisëse. Kjo mësohet se është thënë nga Kryeministri i zgjedhur Edi Rama si porosi ndaj ministrave të emëruar prej tij. Rama u ka kërkuar atyre që t’i propozojnë atij dy emra për njërin nga postet e zv.ministrit të ministrisë që ata drejtojnë.

Sipas tij, ata duhet të jenë figura të reja, të papërfshirë në qeverisjet e mëparshme, edhe pse mund të kenë qenë të papërfolur për afera apo dyshime gjatë ushtrimit të detyrës.

Shoqëria civile duket se do të jetë ambienti nga do të merren njerëzit që do të vendosen në pozicionet politike, pasi pozicionet që i përkasin statusit të nëpunësit civil do të duhet të kalojnë në filtrin e konkursit që Departamenti i Administratës Publike do të zhvillojë. Mësohet se Rama u ka kërkuar ministrave të kenë si burim të tyrin në përzgjedhjen e emrave data base-n e krijuar pas apelit të bërë nga vetë kryetari i PS-së pas zgjedhjeve dhe fitores së tyre. Emra drejtuesish të OJF-ve që janë marrë me projekte kryesisht nga financime të huaja mësohet se i janë dërguar Edi Ramës në tryezën e tij për postet e zv.ministrave, por dhe të drejtorëve të rëndësishëm të këtyre dikastereve. (Panorama) /albeu.com/
Shtuar më 01/09/2013, ora 12:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori