Qeveria e pafuqishme për të zbardhur fatin e të zhdukurve
Albeu.com
Zëvendës kryeministri i Kosovës Ramë Manaj e qortoi shefin e UNMIK-ut Lamberto Zannieri se në vend që në bisedimet me Beogradin të trajtojë çështjen e të pagjeturve, ai hap tema tjera.Qeveria e Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë ende ndihet e pa fuqishme për të ndikuar në procesin e gjetjes së të zhdukurve gjatë luftës së fundit. Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve, qeveritar dhe familjarë të grumbulluar para Teatrit Kombëtar në qendër të Prishtinës, duke i kërkuar UNMIK-ut që çështjen e të pagjeturve ta shtrojë si prioritare në dialogun me Serbinë.

Ramë Manaj, zëvendës kryeministër i Kosovës thotë se ka kërkuar nga shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannieri, që ndër pikat më kryesore në dialog me Serbinë, ta fus edhe çështjen e personave të zhdukur.

"Zgjidhja e kësaj çështje do t'i kontribuonte edhe një fillimi të një relaksimi të marrëdhënieve të mira dhe të fqinjësisë së mirë në mes dy vendeve të popujve tanë, gjë që është e ardhme e dëshirueshme dhe e pa shmangshme", theksoi Manaj.

Përkundër kërkesës së Qeverisë së Kosovës që të jetë prioritet gjetja e të zhdukurve në bisedime me Serbinë, duket se Zannieri, këtë çështje nuk e ka vlerësuar si të tillë.
"Zoti Zannieri, duke se në prioritet ka futur çështje tjera. Ne shpresojmë edhe më tutje se kjo do të jetë çështje preokupante edhe për angazhimet e tij, që janë angazhime të një 'Shattle Diplomacie', që të kontaktojë me qeveritarët serb, të përcjellë informacione tek institucionet e Kosovës dhe eventualisht të ndikonte në lehtësimin e procesit të diskutimit të çështjeve me interes të dy vendeve dhe dy popujve", shtoi ai.

Ndërsa, familjarët e të zhdukurve të zhgënjyer nga mos realizimi i kërkesave të tyre, thonë se tani më nuk dinë se kujt t'i drejtohen, pasi që institucionet relevante, deri më tani nuk kanë bërë asgjë për gjetjen e të afërmeve të tyre.

"Sikur kjo është një letër pa adresë, a i drejtohesh dikujt me një letër pa adresë, ashtu edhe ne sot nuk kemi kujt me ju drejtuar", thotë Emine Bytyqi nga Peja,Familjare e të zhdukurve.
Deri më tani nga 5.980 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit, rreth 4042 prej tyre konsiderohet se janë gjetur, ndërsa për fatin 1930 prej tyre ende nuk dihet. (alsat)
Shtuar më 30/08/2008, ora 22:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori