Qeveria e Kosoves shkarkoi rektorin e Universitetit te Prishtines
Albeu.com
Qeveria e Kosovës e mbledhur të Martën nën drejtimin e Kryeministrit Bajram Kosumi, vendosi të shkarkojë Rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof.Arsim Bajramin.Sipas Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, Agim Veliu, ky shkarkim "është rezultat i një procesi negociator me faktorët relevantë". Veliu tha se ky vendim u mor "në bashkëpunim me UNMIK-un" dhe synon "të kthejë në Universitetin e Prishtinës zbatimin e statutit". Rektori Bajrami e kundërshtoi vendimin për shkarkimin e tij, të cilin e quajti "të papërgjegjshëm, të dhunshëm e politik". Ai deklaroi se "nuk do ta lëshojë në asnjë mënyrë postin e Rektorit", dhe se atë "nuk e ka zgjedhur ministri Agim Veliu, por studentët dhe profesorët, Senati dhe Këshilli drejtues i Universitetit". Me vendimin e djeshëm, Qeveria e Kosovës shpërndau edhe Senatin e Universitetit të Prishtinës dhe shkarkoi nga detyra të gjithë dekanët e fakulteteve dhe shkollave të larta, të dalë nga zgjedhjet e fundit universitare. Para se të zgjidhej në postin e rektorit në Dhjetor 2004, Arsim Bajrami, profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ishte nënkryetar i Partisë Demokratike dhe deputet. Pas zgjedhjes ai dha dorëheqjen nga këto poste. 24ore
Shtuar më 28/07/2005, ora 21:43
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori