Qeveria e Kosoves krijon departamentin per lufte kunder korrupsionit
Albeu.com
Në mbledhjen e së premtes të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të rrisë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Prandaj, ka vendosur ta forcojë Zyrën e Prokurorisë Speciale, me një departament të specializuar për të luftuar këto dukuri. Me propozimin e tij, është vendosur të formohet një departament, një “Task Forcë” e përbërë prej prokurorësh, oficerësh policorë e ekspertësh, që do të jetë i ngarkuar të hetojë të gjitha rastet e rënda korruptive, si dhe rastet e krimit të organizuar.
“Pa asnjë hezitim do të ju kisha ftuar të gjithë ju ministra, kabinet qeveritar, zëvendëskryeministra, që t’i aprovojmë këto masa, si dëshmi konkrete e përkushtimit tonë qeveritar në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive tjera negative”, ka qenë kërkesa e kryeministrit, para se Qeveria t’ia bënte aminin propozimit të tij për formimin e departamentit të ri. “Qeveria merr përsipër vënien në dispozicion të gjithë logjistikës së nevojshme dhe stimulimit relevant financiar që ky departament special antikorrupsion dhe antikrim i organizuar të jetë efikas në punën e vetë”, është zotuar ai.
Departamenti special anti-korrupsion do të përbëhet nga 8 prokurorë, prej tyre 5 prokurorë kosovarë, të dekretuar nga presidenti, dhe tre të tjerë të emëruar nga autoritetet e EULEX-it. Qeveria ka marrë përsipër përzgjedhjen dhe rekrutimin e 30 oficerëve hetues të Policisë së Kosovës, të cilët do të angazhohen drejtpërdrejt në hetimin e rasteve me të cilat do të merret ky departament. Po kështu, përmes një konkursi të hapur, Qeveria do të përzgjedhë edhe pesë ekspertë me përgatitje dhe eksperiencë adekuate në fushën e tatimeve, shpëlarjes dhe transferim të paligjshëm të parave, tjetërsimit të pasurisë dhe çështjeve të tjera negative. Këta do të punojnë në mënyrë ekskluzive vetëm për nevojat e departamentit të ri që do t’i shtohet Dhomës së Prokurorisë Speciale.
“I gjithë personeli që do të punojë në këtë departament do të ketë mbështetje financiare adekuate pa kursyer, nën autoritetin e plotë qeveritar mbështetës. Prokurorët e këtij departamenti do të kenë në dispozicion edhe mbrojtjen fizike të afërt për ata personalisht, por edhe për familjet e tyre”, ka shprehur zotimin shefi i ekzekutivit. “Është diçka e re në Kosovë – e nevojshme dhe e domosdoshme”.
Dy javë më parë ka qenë “Koha Ditore” që, nëpërmjet burimeve në Qeveri, ka bërë të njohur kritikat e faktorëve relevantë ndërkombëtarë për mungesën e rezultateve në luftimin e krimit te organizuar dhe korrupsionit, kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës dhe EULEX-in që të planifikojnë krijimin e një force të veçantë që do të luftojë këto fenomene. Burime të gazetës kanë bërë të ditur se shtetet e Quintit gjatë takimeve të fundit kanë kërkuar nga EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës rezultate të prekshme dhe të shpejta, në mënyrë që të vazhdojë mbështetja e shteteve të fuqishme për Kosovën, edhe në aspektin e integrimit të veriut.
Thirrjet për rezultate janë fuqizuar në takimin e Grupit Ndërkombëtarë Drejtues për Kosovën në Vjenë, ku 25 shtet që e kanë njohur Kosovën kanë bërë një thirrje të tillë, edhe publikisht.
Raporti i progresit dhe raporte të tjera ndërkombëtare e kanë ranguar Kosovën si vend me nivel të lartë të korrupsionit, ndërkaq që kanë vlerësuar se në vend zhvillohet krimi i organizuar. Përderisa raportet e mëhershme ndërkombëtare vazhdimisht kanë treguar se organet e drejtësisë në Kosovë janë të paafta, raportet e fundit të OJQ-ve lokale kanë kritikuar edhe EULEX-in për mungesë rezultatesh.
Periudha prej kur është operacionalizuar EULEX-i, 33 raste të krimit të organizuar janë në procedurë të hetimit, 3 raste tjera janë në shqyrtim gjyqësor, dhe tre verdikte gjyqësore janë marrë për rastet e krimit të organizuar. Gjykatësit e EULEX-it kanë marrë verdikte edhe për katër raste të korrupsionit. (koha)
Shtuar më 27/02/2010, ora 03:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori