Qeveria e Kosoves i procedon Kuvendit edhe 10 projektligje
Albeu.com
Qeveria e Republikës së Kosovës ia ka proceduar sot Kuvendit të Kosovës edhe dhjetë projektligje që dalin nga propozimi i Marti Ahtisarit, duke përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë për Forcën e Sigurisë.Në mbledhjen rregullt të kabinetit qeveritar, Thaçi u shpreh i prerë në moslejimin e strukturave paralele në Kosovë dhe as të shtabeve të krizave. Ai tha se autoriteti i institucioneve të Kosovës do të shtrihet në tërë territorin e vendit. Kryeministri Thaçi theksoi se nga java tjetër përfaqësuesit serbë të zgjedhur do të fillojnë të kthehen në institucionet e Kosovës dhe i ftoi edhe njëherë të gjithë serbët t'i kthehen jetës normale në vend. "Gjendja e sigurisë në vend është në nivel të planifikimit dhe rritjes së angazhimeve të KFOR it dhe autoriteteve të UNMIK ut, por edhe të institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë të ushtrojnë autoritetin tonë në tërë territorin e Kosovës. Nuk do të lejojmë as shtabe krizash, as shtabe speciale, as struktura paralele, por do të ketë lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Kosovës, respektim dhe garantim të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe ftoj të rikthehen në jetën normale, në rrjedhën e realitetit të ri të shoqërisë", porositi Thaçi. Qeveria e Kosovës po sot miratoi disa nisma ligjore që dalin nga pakoja e Ahtisarit, duke dhënë pëlqimin për Projektligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme, atë të Forcës së ardhme të sigurisë dhe projektligjin për mbrojtjen e të drejtave të pakicave etj. Qeveria po ashtu miratoi edhe kërkesën e Ministrisë së Transportit për shpalljen e trasesë së autostradës Merdar Morinë dhe asaj Prishtinë Han i Elezit. Ministri i Transportit Fatmir Limaj tha se rëndësia e këtij projektligji është shumë e madhe duke ditur se nuk mund të ketë kurrfarë zhvillimi ekonomik pa infrastrukturë të nevojshme rrugore. Gjatësia e përgjithshme e trasesë e autostradës Merdar Morinë është 118.17 km dhe lidhë dy pika kufitare, kostoja e përgjithshme është llogaritur të jetë përafrisht 659 milion euro. Ndërkaq, me rastin e 7 Marsit, Qeveria e Kosovës u uroi Ditën e mësuesit të gjithë arsimtarëve dhe pedagogëve dhe premtoi përkushtimin e saj për përmirësimin e pozitës materiale të tyre. "Sot është ditë e veçantë për të gjithë ne, për fëmijët tanë, për pedagogët, mësuesit, është dita e 7 Marsit dhe në emër të qeverisë u shpreh urimet më të sinqerta dhe konsideratat më të larta për punën dhe angazhimin e mësimdhënësve tanë ndër dekada që ishin edhe frymëzim për jetën tonë të lirë, për dijen tonë, për formimin e identitetit kombëtar", u shpreh kryeministri Thaçi. Qeveria po ashtu u njoftua për përgatitjet që po bëhen për konferencën e donatorëve. Kryeministri Thaçi i ka inkurajuar ministrat që të vazhdojnë përgatitjet e duhura në mënyrë që punët të koordinohen mes ministrive me komuna por edhe me shoqërinë civile për konferencën e donatorëve. Në fund Thaçi u ka thënë ministrave se asnjë ministër të mos udhëtojë jashtë vendit pa pëlqimin e Zyrës së Kryeministrit dhe të dihet qartë udhëtimi i tyre. "Udhëtimet e tyre assesi të mos jenë pjesë e agjendave të të tjerëve, por do të punojmë me agjendën tonë", tha Thaçi. (QIK)
Shtuar më 07/03/2008, ora 23:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori