Qeveria e Kosovës hedhë poshtë akuzat e Haradinajt
Albeu.com
Numri dy i Qeverisë së Kosovës Hajredin Kuqi, tha për ALSAT se qeveria nuk do të merret me kritikat e Haradinajt, por do të vazhdojë të kryejë punën e saj.Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë akuzat e rënda të ish - kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili një ditë më herët, gjatë shënimit të përvjetorit të Degës së partisë së tij - Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në qytetin e Pejës me tone të ashpra ka akuzuar kreun e qeverisë Hashim Thaçi se po bashkëqeveris vendin me SHIK-un, të cilën e ka quajtur organizatë kriminale.

Numri dy i qeverisë së Kosovës Hajredin Kuqi tha për ASLAT se qeveria nuk do të merret me kritikat e Haradinajt, por do të vazhdojë të kryejë punën e saj.

"Ne e kemi dhënë mendimin për këtë dhe nuk e kemi më ndërmend që të merremi me këtë çështje. Është e drejtë e çdokujt që të bëjë kritika, Ato duhet t'i ketë të bazuara së paku në norma normale, politike ose edhe morale Më shumë nuk e kemi ndërmend të merremi me këto kritika e kemi ndërmend të punojmë...", tha Hajredin Kuqi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj, menjëherë pasi fitoi pafajësinë në Tribunalin e Hagës ka nisur një varg akuzash të rënda në adresë të qeverisë së kryeministrit Thaçi, duke e quajtur qeverisjen e tij të të paaftë, të papërgatitur dhe të korruptuar. Haradinaj ka ashpërsuar posaçërisht tonin në ditët e fundit, duke thënë se qeveria Thaçi po bashkëqeverisë me organizatën kriminale- SHIK-un, që sipas tij, partisë në pushtet PDK i shërben për t'u mbrojtur nga brenda e jo nga jashtë.

"Ditën e shpalljes së pavarësisë kjo organizatë kriminale ka qenë roje në Parlament që të vrojtojë nëse kanë ardhur servilët e atyre që kanë shpallur pavarësinë dhe në anën tjetër që të mis i lërë që të hyjnë brenda ata që janë meritor për pavarësinë", ka thënë ndër të tjera Haradinaj në qytetin e Pejës, që qeveriset nga partia e tij.

Familja e Haradinajt, i cili në kohën e shpalljes së pavarësisë gjendej në Hagë, sipas partisë së tij, nuk është ftuar në ceremoninë solemne të shpalljes së shtetit të Kosovës.
Shtuar më 28/05/2008, ora 23:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori