Qeveria e Kosovës me dy ministra të rinj
Albeu.com
Agim Ceku ka informuar kabinetin se dje, në mbështetje të nenit 9.3.12 të Rregullores së UNMIK ut mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë, ka nënshkruar vendimin për emërimin e z. Blerim Kuçi në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe të z.Branisllav Gërbiq në postin e Ministrit të Komuniteteve dhe Kthimit.Kryeministri Agim Çeku ka informuar sot kabinetin qeveritar në mbledhjen e rregullt se procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës është duke shkuar sipas dinamikës së paparaparë dhe se gjithnjë e më shumë Kosova po fiton mbështetje dhe përkrahje për pavarësi.
Gjithashtu Kryeministri ka informuar kabinetin se dje, në mbështetje të nenit 9.3.12 të Rregullores së UNMIK ut mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë, ka nënshkruar vendimin për emërimin e z. Blerim Kuçi në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe të z.Branisllav Gërbiq në postin e Ministrit të Komuniteteve dhe Kthimit.

Themelohet Ministria e Punëve të Jashtme

Në mbledhjen është prezantuar një ekstrakt për themelimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku janë paraqitur struktura dhe çështjet organizative, funksionimi dhe sfidat që e presin këtë resor tejet të rëndësishëm pas themelimit dhe gjatë muajve pas përcaktimit të statusit të Kosovës. Po sot është aprovuar edhe propozimi për opsionet financiare për realizmin e sistemit të mbingarkesës 2 dhe 3 në KEK, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e furnizimit me thëngjill deri në vitin 2010, sepse është paraparë që deri në atë kohë rezervat e thëngjillit do të shterin në mihjet aktuale, prandaj është vlerësuar si esenciale hapja e Mihjes së re në Sibocin jugperëndimor. Ky Projekt kërkon 7 milionë euro avans nga Qeveria e Kosovës si hua për KEK un, si dhe fletëgaranci për 68 milionë euro, të cilat do të shndërrohen në aksione të qeverisë për këtë ndërmarrje publike. Në këtë kontekst, është miratuar edhe plani i veprimeve për përmirësimin e menaxhimit në KEK dhe sektorit energjetik, të cilin e ka përgatitur Ministria e Energjisë dhe Minierave (MEM). Ky plan parasheh hapat që duhet të ndërmerren menjëherë për të përmirësuar situatën e menaxhimit të KEK ut, si dhe për të vazhduar më tej me hapa e nevojshëm të ristrukturimit të tij. Pas miratimit kabineti qeveritar ka rekomanduar që pas themelimit të Bordit të Drejtorëve nga Qeveria dhe AKM ja, më 8 mars, ky Bord të sigurojë zbatimin e këtij plani të veprimeve dhe të sigurojë mbarëvajtjen e veprimtarisë së KEK ut. Qeveria ka vlerësuar se ristrukturimi i KEK ut nuk mund të bëhet pa Bordin e Drejtorëve, ngase ristrukturimi i paraparë nga menaxhuesit e KEK ut nuk garanton funksionalitet dhe përgjegjësi në vijën menaxheriale. Kjo duhet të bëhet mbi bazë të Strategjisë së Energjisë për Kosovën.

Pagesa e kujdestarive në kategorinë e pagave

Në vazhdim është aprovuar vendimi i Qeverisë nr: 6/221 dhe i projekturdhëresës administrative për bashkëpagesa, si dhe i Memorandumit të Mirëkuptimit për të hyrat vetjake (ZKM), në të cilat decidivisht saktësohet se pagesa e kujdestarive hyn në kategorinë e pagave dhe mëditjeve që paguhen nga buxheti i rregullt dhe nuk varet nga mbledhja e participimeve; pagesa e kujdestarive prej muajit janar 2007 do të fillojë të paguhet nga fondi prej 1.2 milionë eurosh që është i mjaftueshëm sipas llogaritjeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe borxhet e pashlyera të kujdestarive të vitit 2006 duhet të mbulohen nga kursimet brendshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kjo duhet të përfundojë deri më 31 mars 2007, si dhe niveli dhe mënyra e përdorimit të të hyrave vetjake përfshirë edhe participimet duhet të definohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe MEF i, në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Rregullore së Buxhetit 2006/61.
Gjithashtu është miratuar kalimi i kompetencave dhe i përgjegjësive për zbatimin e planit strategjik të veprimit për ngritjen e kapaciteteve në IPVQ ministri nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Shërbimeve Publike, me ç'rast për zbatimin e këtij Plani kompetencat i kalojnë kësaj të fundit.
Kabineti ka dhënë dritën jeshile edhe për fillimin e përgatitjeve dhe procedurave të nevojshme për dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve në Aeroport dhe të zbatohen modelet dhe praktikat e suksesshme të vendeve të tjera, të cilat janë treguar efikase në këtë drejtim. Kjo do të bëhet në bashkëveprim të plotë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Ministrisë së Transportit dhe ekspertëve ndërkombëtarë.

Pezullohet vendimi për rritjen e pagave

Kabineti qeveritar sot ka pezulluar vendimin e Qeverisë nr: 11/237 të datës 14.02.07 për ngritjen e pagave të shërbyesve civilë në IPVQ. Megjithatë, kabineti ka vlerësuar se vendimi nuk ka pasur të bëjë me rritjen e pagave, por me përkrahjen e kompensimit të disa pozitave të nevojshme dhe deficitare në resorët administrues. Kjo ka mbetur të rishikohet në të ardhmen si diçka pozitive, ndërsa kabineti ka mirëkuptuar intencën e qeverisë për ruajtjen apo tërheqjen e ekspertëve në administratën e Kosovës
Në fund është miratuar edhe projektudhëzimi administrativ nr. 04/2007 për njësitë për të drejtat e njeriut në Qeverinë e Kosovës. Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ është sigurimi i strukturimit dhe integrimi i njësive për të drejtat e njeriut në ministritë përkatëse, si dhe promovimi i përgjegjësive të brendshme në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut të BE së, si dhe ka emëruar Sekretar i Përhershëm i Zyrës së Kryeministrit, z. Fitim Krasniqi, për përfaqësues të Qeverisë për koordinim me Kuvendin e Kosovës. start
Shtuar më 28/02/2007, ora 17:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori