Lala: Hekuran Billën e kam takuar disa herë në burg

Gazetarja Klodiana Lala tha se njihej personalisht me Hekuran Billën, që u ekzekutua disa ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit.

Lala tha se e kishte takuar në burg, ndërsa tregoi në detajen edhe ngjarjen e ndodhur në Londër në vitin 2006.

“E kam takuar disa herë në burg personalisht Hekuran Billën. E thërrisnin Lani dhe kishte njohje më të gjithë personazhet në burgun e Fushë Krujës. Gjithë debati në Londër ka nisur sepse emigrantët shqiptarë kishin ndarë zonat për të bërë kontrollin e parkingjeve. Ka patur një debat me Prel Markun nga Dukagjini dhe disa djem të tjerë nga zona e Matit.

Janë rrahur fillimisht dhe më pas Hekuran Billa në bashkëpunim me një person tjetër kanë marr armën dhe kanë qëlluar në drejtim të 4 personave. Është vrarë Prel Marku dhe janë plagosur të tjerët. Njëri prej tyre është ende me probleme me ecjen”, deklaroi ajo në “Opinion”.

Duke theksuar se Billa qe dënuar me burgim të përjetshëm në Angli, gazetarja tregoi se si ai kishte mundur t’i shpëtonte këtij dënimi, përmes sistemit shqiptar të drejtësisë.

“Gjykata e Anglisë ka dhënë pretencën me burgim të përjetshëm dhe nëse kërkonte ulje dënimi, duhej të bënte të paktën 34 vite burg. Dhe vetëm pasi të bënte 34 vite burgim, ai mund të kërkonte lirim me kusht. Gjykata e Shkallës së Parë ja njohu burgim të përjetshëm, ndërkohë që Apeli e dënoi me 25 vite burgim.

Ky është momenti kur Billa ndërtoi strategjinë për dalje. Me këtë vendim nuk ishte dakord Prokuroria dhe u bë rekurs në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që dosja priste shqyrtimin, Billa bëri një sërë kërkesash në Gjykatën e Krujës. Dhe në vitin 2019 fitoi ulje dënimi në 5 vite.

Dhe Enkelejda Hoxha e ka liruar duke i falur 5 vite burgim, me arsyetimin se ishte i varfër dhe duhej të kujdesej për prindërit e sëmurë. U lirua se kishte kontratë me një studio ligjore që do ta punësonte si korrier që të siguronte ilaçet për prindërit. Ndërkohë që ai u vra me një makinë që kushtonte miliona dhe nga ana tjetër kishte biznese. Pra kjo tregon thërrmimin e drejtësisë”, tha Lala.


Shtuar 18.06.2020 21:02