Sot përfundoi gjendja e fatkeqësisë natyrore në Shqipëri, çfarë pritet të ndodhë?

Sot shënon edhe fundin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të vendosur në vend që prej fillimit të pikut të pandemisë së Covid-19!

Ka qenë një dalje publike për mediat, e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastiriliu gjatë paradites së sotme që ka shpjeguar në detaje se çfarë do të thotë saktësisht fundi i kësaj periudhe dhe masat që do të vazhdojnë të jenë prezente për sa kohë që efektivisht virusi nuk është zhdukur.

“Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit.

Strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës”, u shpreh ajo.

Manastiriliu nuk e fshehu mundësinë e hapjes së spitalit Covid-2 dhe masat e mundshme që duhen ndërmarrë si pjesë të skenarit në rast se numri i pacientëve të prekur me Covid-19 rritet.

“Me plotësimin e kapaciteteve në Spitalin Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin në rritje dhe jemi duke rekrutuar stafin mjekësor dhe infermieror që do të shërbejë në këtë spital.

Paralelisht nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive do të rihapim Spitalin COVID 2, pra ish-Sanatoriumin, dhe në skenarin tjetër, në rast se shifrat kapërcejnë këto kapacitete do të kalohet tek spitali karantinë COVID4 në aksin Tiranë-Durrës”.


Shtuar 23.06.2020 16:50