Në mbledhjen e Komisionit Shtetëror për Përkujtimin e Ngjarjeve Jubilare gjatë vitit 2014 u diskutua sot për programin e aktiviteteve që do të organizohen në përkujtim të 70 Vjetorit të Çlirimit të vendit.
Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, zv/kryeministri Niko
Peleshi u shpreh se aktivitetet do të shtrihen përgjatë gjithë muajve në vijim dhe do të zhvillohen në shumë qytete të ndryshme për të kulmuar me aktivitetet e 29 nëntorit në Tiranë.
“Lufta që u kurorëzua me çlirimin e Shqipërisë në 29 nëntor është padyshim një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë. Kjo luftë ishte pasaporta evropiane e Shqipërisë dhe ne kemi detyrimin ta përkujtojmë këtë moment historik me dinjitetin që ai meriton.”- tha
Peleshi.
Duke shpjeguar filozofinë e qeverisë në organizimin e aktiviteteve, ai u shpreh se
qeveria është përpjekur të adoptojë një qasje të ndryshme ndaj përkujtimit.
“Natyrisht, që në qendër të çdo aktiviteti duhet të jetë sakrifica e atyre që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për çlirimin e vendit. Por ne jemi përpjekur të kemi në fokus të gjithçkaje përfshirjen e të rinjve dhe te
brezit të ri. Lidhja e
brezit të ri me vlerat dhe të vërtetat e asaj
lufte është bërë gjithnjë e më e zbehtë, ndërkohë që për brezin e fëmijëve që po rriten sot, ajo luftë i përket thjesht një historie të largët për të cilën mund të kenë parë ndonjë film apo lexuar ndonjë gjë në shkollë, por që nuk ka për ta asgjë konkrete. Ne besojmë se shteti shqiptar,
qeveria shqiptare ka detyrimin të mbajë gjallë vlerat dhe sakrificat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Do të ishte e pafalshme për të gjithë ne nëse do të lejonim që fëmijët tanë të rriten duke injoruar sakrificën e gjyshërve të tyre të cilët në moshë fare të re kishin guximin dhe idealin për të luftuar, jo për politikë, jo për përfitime personale e as për parti, por për çlirimin e vendit. Një pjesë e madhe e aktiviteteve që propozojmë janë udhëhequr pikërisht nga kjo filozofi, për të mbajtur gjallë në mendjet e
brezit të ri rëndësinë e LANC, për të ripërtërirë tek ta mesazhin origjinal të asaj
lufte, për të përcjellë mesazhin e idealizmit, dëshirës për paqe e liri që e udhëhoqi atë të cilat janë vlera të domosdoshme për një integrim të vërtetë në Europë.”- tha
Peleshi. /albeu.com/
Shtuar më 10/05/2014,
ora 14:01