Hasi, kandidat për stolin e Fenerbahçes

Besnik Hasi është një nga kandidatët për t’u bërë trajner i gjigantit turk, Fenerbahçe, kanë raportuar të mërkurën mediumet në Arabinë Saudite dhe Turqi.

Pos Hasit, Fenerbahçe në listë për stolin e saj i ka edhe trajnerët Okan Buruk dhe Erol Bulut, por që nuk përjashtohet mundësia të emërohet edhe Hasi.

Në fakt, ky i fundit shihet si njëri prej kandidatëve më seriozë. Madje, siç raportojnë mediumet në Arabinë Saudite, Hasi nuk ka dashur ta udhëheqë në stërvitje ekipin e këtij shteti, Al Read, shkaku i ofertës që ka pranuar nga Fenerbahçe. Sipas mediumeve në Arabinë Saudite, menaxherët e ekipit Al Read dërguan aeroplan privat në vendin e tij, Belgjikë për të sjellë trajnerin kosovar që të punojë me skuadrën.

“Hasi është kthyer në Arabi me aeroplan privat. Sidoqoftë, ai ende nuk ka nisur punën. Arsyeja që nuk e ka udhëhequr asnjë stërvitje deri më tash, është se ai dëshiron ta shqyrtojë ofertën që ka marrë nga Fenerbahçe. Sipas pretendimeve, trajneri 48-vjeçar kishte humbur mundësinë për të punuar me parë te Galatasaray, por tani dëshiron të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Fenerbahçen. Besnik Hasi kishte qenë në planet e Galatasarayt para se të largohej Mustafa Denizli”, ka shkruar sajti turk “fotospor.com”.


Shtuar 9.07.2020 14:52