Pushohet padia e Ajazit ndaj Felajt dhe Xhaçkës
Pëlqej
Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, vendosi të pushojë padinë civile të firmosur nga Hektor Ajazi, kunati i Ministres së Integrimit Majlinda Bregu, ndaj dy deputeteve të Partisë Socialiste znj.Ermonela Felaj dhe znj.Olta Xhaçka. Sipas vendimit që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se gjyqtarja e çështjes, Fida Osmani, për shkak të mos paraqitjes në seancë gjyqësore të paditësit Ajazi ka vendosur pushimin e çështjes.

Sipas vendimit, në seancën e parashikuar për fillimin e procesit gjyqësor, asnjëri nga palët nuk është paraqitur në orën e caktuar për fillimin e seancës gjyqësore. Sipas kërkesë padisë, kunati i ministres Bregu, paditësi Hektor Ajazi, ka kërkuar detyrimin e të paditurave Ermonela Felaj dhe Olta Xhaçka ta dëmshpërblejnë, pasi sipas tij, i kanë shkaktuar një dëm jo pasuror dhe pasuror duke e cenuar në nderin e personalitetit të tij.

Gjithashtu ai ka kërkuar detyrimin e të paditurave të publikojnë një përgënjeshtrim me përmbajtje mohimin e deklaratave të tyre, dhe deklarimin se ato janë të pavërteta, përgënjeshtrim ky në të njëjtat media vizive dhe të shkruara që kanë bërë publikimet e rreme dhe mashtruese ndaj paditësit. Akuza këto, që sipas Padisë janë bërë nga foltorja e selisë së Partisë Socialiste nga dy deputetet e majta ndaj ministres dhe vetë paditësit Ajazi. Dy deputete, kohë më parë patën akuzuar kunatin e ministres Bregu, paditësin Ajazi si përfitues të koncesionit për punimet e ndërtimin të komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji. (shekulli/albeu)
Shtuar më 03/11/2010, ora 11:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori