Pushimet, Nano në kazinonë e Rodosit
Albeu.com
Pas largimit të shtunën për në Turqi, kryeministri në detyrë është parë të dielën në ishullin grek. Ditët e fundit si kryeministër, Fatos Nano po i kalon mes pushimesh luksoze, që kanë filluar në Turqi e po vijojnë në ishullin turistik të Greqisë, Rodos.Burimet afër kryeministrit në detyrë konfirmuan se Nano është larguar nga Shqipëria drejt Turqisë që të shtunën në mëngjes, pra një ditë pas zhvillimit të mbledhjes së qeverisë, ku u ratifikua shitja e 76% e aksioneve të kompanisë telefonike “Albtelekom”. Ndërkohë të dielën Nano, nën shoqërinë e bashkëshortes dhe të miqve të tjerë të afërt, është parë në kazinonë e Rodosit, ishullit grek që ndodhet shumë afër me Turqinë. Nano është larguar për pushime dhe “relax” të plotë, në një kohë kur ende nuk ka një rezultat përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut dhe duke qenë kryetar qeverie. Por edhe në një kohë kur një pjesë e mirë e kandidatëve socialistë që humbën garën elektorale përballë rivalëve të PD-së, kanë ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pavarësisht nga rezultati që PS-ja mori në këto zgjedhje, pasi në maxhoritar ka të konfirmuara deri tani vetëm 40 mandate, duke humbur një pjesë të konsiderueshme të mandateve që gëzonte në legjislaturën e kaluar, por edhe të bastioneve të saj, Nano nuk ka hezituar që të fillojë turin e pushimeve të verës. Në një farë mënyre, Nano, edhe këtë radhë i është shmangur përgjegjësisë si kryetar partie për rezultatet e ulëta të PS-së në këto zgjedhje, duke gjetur kohën më të papërshtatshme për të pushuar. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, tha dy ditë më parë se Nano po mbyllte në Turqi aferën korruptive të shitjes së “Albtelekom” dhe se shpenzimet e këtij udhëtimi atij po ia paguante kompania turke. PD-ja ka deklaruar se nuk do të njohë privatizimin e “Albtelekomit”, i zyrtarizuar tashmë nga qeveria Nano. Kryeministri Nano do të mbahet mend si kreu i ekzekutivit që ka kaluar disa herë pushime luksoze dhe tepër të shtrenjta, duke u larguar nga vendi të paktën dy herë në vit në periudha të gjata kohore prej më tepër se 15 ditësh. Ndër këto pushime mund të përmendet ai i verës së shkuar nëpër Mesdhe, ku Nano së bashku me Xhoanën shëtitën për më tepër se dy javë me një jaht tepër luksoz dhe të shtrenjtë. Por sensacional për mediat dhe shqiptarët ishte edhe festimi i natës së ndërrimit të viteve nga çifti Nano në një nga hotelet më të shtrenjta të botës, në Dubai.
A.Rama, Shekulli
Shtuar më 12/07/2005, ora 12:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori