Punësimi në administratë, DAP: Ja CV-ja e duhur
Pëlqej
Çdo aplikim për punë në administratë do të bëhet përmes paraqitjes së një jetëshkrimi standard për të gjitha kërkesat. Departamenti i Administratës Publike ka paraqitur në faqen zyrtare jetëshkrimin tip që duhet të plotësojë çdo i interesuar për t'u punësuar në institucionet shtetërore. Njëherësh në sitin e këtij institucioni janë paraqitur edhe udhëzimet që duhen ndjekur për plotësimin e CV-së, si dhe pikat më të rëndësishme për t'u respektuar.

N.q.s aplikoni për një vend pune, sigurohuni gjithmonë që ju (të dhënat tuaja) të përputheni tërësisht me procesin e aplikimit. Njoftimi për vendin e punës mund të specifikojë: Se si të aplikoni (CV, formularin e aplikimit, aplikim online), kohëzgjatjen dhe/ ose formatin e CV-së, nëse një letër motivimi është e nevojshme, etj", sqaron DAP në faqen zyrtare.

CURRICULUM VITAE

Është mirë që të paraqisni CV-në sa më shkurt: Dy faqe A4 janë zakonisht më shumë se të mjaftueshme, pavarësisht nga arsimi apo përvoja juaj, këshillon DAP në faqen zyrtare. Mos i kaloni 3 faqet. Nëse ju jeni të diplomuar, mund të përfshini rezultatet e shkollës së mesme vetëm nëse është e lidhur me punën në fjalë. A është përvoja juaj e punës e kufizuar? Përshkruani fillimisht arsimin dhe trajnimet tuaja; theksoni punët vullnetare ose stazhet e punës. "Jini të qartë e konciz. Përdorni fjali të shkurtra. Shmangni klishetë. Përqendrohuni në aspektet përkatëse të trajnimeve dhe përvojës së punës. Jepni shembuj të veçantë. Përcaktoni numrin e arritjeve tuaja. Përditësoni CV tuaj me përvoja të reja. Mos hezitoni të hiqni informacione të vjetra n.q.s nuk kanë ndonjë vlerë të shtuar për vendin e punës për të cilin po aplikoni", theksohet në faqen e DAP.

CILËSITË

Gjithmonë përshtateni CV tuaj që t'i përputhet vendit të punës për të cilin ju po aplikoni, vazhdon DAP. Theksoni cilësitë tuaja në përputhje me nevojat e punëdhënësit dhe përqendrohuni në aftësitë që përputhen me pozicionin e punës. Mos përfshini përvoja pune apo trajnime që nuk janë të rëndësishme për vendin e punës për të cilin po aplikoni. Shpjegoni boshllëqe të mundshme gjatë studimeve ose karrierës suaj, duke dhënë shembuj të ndonjë aftësie të transferueshme që ju mund të keni mësuar gjatë kësaj periudhe "pushimi".

Para se të dërgoni CV tuaj tek punëdhënësi, kontrolloni sërish n.q.s korrespondon me profilin e kërkuar.

"Mos e zbukuroni artificialisht CV-në tuaj; n.q.s e bëni, mund të ndodhë që të zbuloheni gjatë intervistës. Kushtojini vëmendje prezantimit të CV-së suaj. Paraqisni aftësitë dhe kompetencat tuaja në mënyrë të qartë dhe logjike, në mënyrë që cilësitë tuaja të dalin në pah. Vendosni informacionet më të rëndësishme në fillim. Kushtojini vëmendje ortografisë dhe shenjave të pikësimit", thekson DAP. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori