Puna në komunitet, mishërim i solidaritetit dhe kulturës shoqërore
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, me Zyrën e ODC-së organizuan sot një ditë të pune vullnetare për pastrimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve të Qendrës Shëndetësore Nr. 1 në Tiranë.

Stafit diplomatik e administrativ, si dhe punonjësve shqiptarë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, përfaqësuesve të ODC-së dhe kadetëve të ushtrisë amerikane, i’u bashkuan edhe Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri, z. Alexander Arvizu, duke dhënë shembullin e qartë se përmirësimi i kujdesit shëndetësor, është para së gjithash, kontribut i gjithësecilit prej nesh.

“Sot është një mundësi e mirë për mua si ministër të falenderoj Ambasadën Amerikane, Trupat e Ushtrisë Amerikane për ndihmën e vijueshme që bëjnë në përmirësimin e gjendjes së qendrave shëndetësore të shërbimit parësor në Shqipëri, por edhe më gjerë, në emër të Qeverisë për qendrat e riaftësimit të invalidëve, apo edhe për shkollat” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj në takim. “Sigurisht, falënderimi shkon për Trupat e Ushtrisë Amerikane që tregojnë kujdes në mënyrë të vijueshme për të plotësuar nevojat, tona të cilat nuk jemi në gjendje ende sot t’i ndihmojmë plotësisht,” - tha z. Beqaj.
“Por, siç edhe u pa,” – vazhdoi më tej ai, “sot është bashkuar edhe personeli jo ushtarak i Ambasadës Amerikane, rezidentë dhe shqiptarë për të ndihmuar në këtë aktivitet.” Është një mesazh i disafishtë, tha ai: “Në radhë të parë, përmirësimi i gjendjes së kësaj qendre shëndetësore, këtu i shërbehet rreth 3,000 banorëve dhe bëhen rreth 100 vizita në ditë. Por, edhe një mesazh tjetër shumë i rëndësishëm që ne duhet t’i rikthehemi edhe aktiviteteve vullnetare, në radhë të parë kur bëhët fjalë për shëndetin e njerëzve. Shëndeti nuk është një çështje individuale, është një çështje e shoqërisë dhe tek shëndeti duhet të shprehim tiparet solidare të shoqërisë tonë,” – e përfundoi fjalën ministri.

Ndërkohë, Ambasadori Arvizu u shpreh se “dua të falenderoj Ministrin dhe stafin e tij për praninë e tyre sot”, duke shtuar se siç e kemi shprehur, ne kemi dashur të jemi partnerë të mirë. Nuk janë gjestet e mëdha, por ato të vogla në kohë që bëjnë diferencën,” duke dhënë kështu mesazhin dhe dhanë shembullin e kontributin personal për përmirësimin e infrastrukturës së kujdesit shëndetësor në një qendër shëndetësore të vogël në pamje të parë, por me një domethënie të madhe në përpjekjet e përbashkëta për përmirësimin cilësor të këtij shërbimi.
Shtuar më 23/06/2014, ora 14:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori