Aldo Bumçi: Berisha ka një mal me vlerësime sa mali i Dajtit, e votuan demokratët nuk u votua vetë

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit dhe ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, është shprehur se nuk ka asnjë provë për shpalljen e Sali Berishës “non grata” nga SHBA-të.

Bumçi shtoi se amerikanët duhet të respektojnë vendimin e qytetarëve të një vendi demokratik, në këtë rast të demokratëve, të cilët votuan për Berishën.

Komentet Bumçi i bëri në “Dita jonë” ku ishte i ftuar, teksa komentoi zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike.

“Nuk mund të jetë amerikane shprehja “opozita është problemi”, kjo është diktatoriale. Diktaturat i duan opozitat të dobëta. Putin merret me opozitën, ka vrarë drejtuesit e saj. Ne jemi proamerikanë. Demokratët vijnë nga ato shtresa që dëgjonin VOA, që ishin të përndjekur. Proamerikanizmi nuk varet nga diçka që ata nuk kanë arritur të bindin asnjë shqiptar.

Non grata, kemi një mal sa ai i Dajtit me vlerësime për Berishën dhe një letër pa asnjë fakt, pa asnjë gjë. Raportet amerikane për qeverinë Berisha dhe qeverinë Rama nuk mund të krahasohen. Demokratët e votuan Berishën, nuk u votua vetë. Nuk është Berisha çështja. Po kërkoj të respektojnë vendimin e qytetarëve të një vendi demokratik”, tha Bumçi./albeu.com/