Paratë e krimit, lista e subjekteve që do verifikohen në shtator
Institucionet publike kanë nisur punën për të kontrolluar në terren paratë e pajustifikuara, teksa kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga të gjitha organet e zbatimit të ligjit një betejë të ashpër kundër aseteve kriminale.

Të gjitha entet shtetërore janë vënë në lëvizje për të bërë verifikimin e shumave që dyshohet se kanë ardhur nga aktivitete të paligjshme, kryesisht nga trafiku i kanabisit dhe drogave të forta, duke nisur me policinë, zyrat e hipotekës, drejtorinë e tatimeve dhe njësinë e kontrollit dhe verifikimit të parave të pista.

Inspektimet do të jenë të plota për tre banka dhe tre kompani ndërtimi, ndërsa pjesë e listës janë edhe zyrat e këmbimit valutor.

TV Klan raporton se firmat e ndërtimit, zyrat e këmbimit valutor dhe noterët janë subjektet më të shpeshta që përfshihen në afera të pastrimit të parave dhe dyshohet se mbulojnë paratë e krimit.

Ndërtimi konsiderohet si sektori ku janë investuar me se shumti paratë e ardhura nga aktivitete kriminale, kryesisht te zhvilluara jashtë vendit.

Jashtë vëmendjes nuk janë as bankat, pasi një pjesë e mirë e transferta dhe llogarive në to besohet se janë të pajustifikuara.

Sipas të dhënave nga sistemi i pagesave, në vitin 2016-të transfertat e parave përmes këtij sektori u rritën me 1.3 miliard dollarë, duke arritur në rekordin më të lartë historik : 7.6 miliard dollarë.

Burimet thonë se numri i transfertave bankare që në fund të vitit 2014-të e deri tani ka arritur një mesatare mujore prej 10 mijë transaksionesh nga 7mijë që rezultonin në 2013-ën. /Tv Klan/
Shtuar më 04/09/2017, ora 16:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori