Ishte nisur për në Ukrainë, vidhet furgoni me ndihma humanitare në Angli

Një furgon me ndihma për viktimat e luftës ukrainase është vjedhur në Mbretërinë e Bashkuar, sipas BBC.

Organizata bamirëse International Aid Trust tha se furgoni për të cilin kishte paguar më shumë se 20,000 paund u vodh të dielën nga një magazinë në Chorley, Lancashire. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, shihen dy persona të cilët vodhën furgonin brenda 3 minutash.

Themeluesi i fondacionit tha: “Ne e kemi bërë këtë për 30 vite, dhe kemi vendosur ta bëjmë diçka të tillë edhe në Ukrainë por nuk ka qenë e lehtë.” “Javën e kaluar ne kishim midis 50 dhe 80 vullnetarë që ndihmuan për paketimin dhe ngarkimin e kamionëve.

“Dje ngarkuam kamionin tonë të gjashtë dhe ai është rrugës për në Ukrainë,” tha ai.