Eksperti kriminalistik: Po ju tregoj mënyrën se si i pastrojnë paratë grupet kriminale në shqipëri dhe cili është sektori i preferuar

Profesori i Kriminologjisë në Universitetin e Tiranës, Ervin Karamuço shprehet se grupet kriminale që operojnë jashtë vendit, paratë i investojnë në Shqipëri, kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Komentet ai i bëri në ABC ku ishte i ftuar.

“Ekziston prej vitesh një tendencë e shtuar e grupeve kriminale të cilët, të gjithë ato para që kanë i sjellin në rrugë nga më të ndryshme, qoftë tokësore, qoftë ajrore në drejtim të Shqipërisë për t’i investuar për asete.

Shumica e këtyre parave që sekuestrohen fillimisht nga ana e organeve ligjzbatuese shqiptare, vijnë nga grupe të huaja që operojnë si grupe kriminale në vende të huaja por që janë shqiptarë. Mënyra se si po pastrohet para në Shqipëri po i referohem këtu ndërtimit, dhe ne duhet të shtojmë shumë hetimet proaktive ndaj të gjitha këtyre investimeve për të parë dhe burimet e ligjshme të tyre”, tha eksperti.

Karamuço thotë se Shqipëria ka mungesë të ekspertëve të mirëfilltë për të hetuar skemën e pastrimit të parave.

“Ne kemi një krizë të madhe të ekspertëve të mirëfilltë për të hetuar dhe për të nxjerrë konkluzione nëse jemi përpara një skeme të pastrimit të parave në raste konkrete ose jo. Edhe prokuroria e ka vënë re, madje ka edhe disa iniciativa nga partnerët ndërkombëtarë për të specializuar persona të veçantë me skemat e reja se do pastrohet para sot në Evropë dhe sa të rrezikuar jemi ne më pas për të përballuar këto lloj skemash në territorin shqiptar për të identifikuar dhe dënuar autorët”, shton ai./albeu.com/