PTK-se i anulohet tenderi 11 milione eurosh
Albeu.com
Postë-Telekomit të Kosovës i është anuluar tenderi prej 11 milionë eurosh për fije optike nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Vendimi i OSHP-së është marrë pas rekomandimeve që janë bërë nga ana e Komisionit Evropian rreth këtij aktiviteti të Prokurimit.
“Urgjentisht duhet të ndërpritet vendimi i jashtëligjshëm për tenderin e PTK-së për fibra optike”, thuhet në raportin e KE-së, dërguar Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarët e këtij komisioni nuk kanë dashur të flisnin për detajet e këtij raporti duke sugjeruar që të konsultohet Qeveria e Kosovës.
“Rekomandimet për prokurimin publik i janë dërguar Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Fjolla Çeku, zyrtare për Informim në Komisionin Evropian.
Ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit ka marrë vendim për anulimin e këtij tenderi pasi janë gjetur shkelje të Ligjit të prokurimit publik.
“Paneli shqyrtues konstaton se ofertave të operatorëve ekonomikë të cilët kanë konkurruar në këtë aktivitet të prokurimit u ka kaluar afati i vlefshmërisë së tenderit”, thuhet në vendimin e OSHP-së të datës 28 prill, lidhur me lëndën tenderuese “Furnizim me material për zgjerimin e rrjetave me fije optike”.
Sipas vendimit të OSHP-së, procesi i vlerësimit nga PTK-ja ka zgjatur përafërsisht 6 muaj pasi njoftimi për kontratë është bërë më datën 03.10.2009, ndërsa njoftimi për dhënie të kontratës është bërë më datën 01.04.2010.
Sipas nenit 29.15 të Rregullores së prokurimit publik, procedura e kontrollimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve duhet të përfundohet nga Autoriteti Kontraktues brenda periudhës kohore më të shkurtër të mundshme dhe jo më vonë se 30 ditë. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara mirë në kontratat e një natyre komplekse kjo periudhë kohore mund të zgjatet edhe për një afat shtesë prej dhjetë ditësh. Sipas këtij organi të prokurimit publik, PTK-ja ka bërë shkelje të këtij neni pasi në dosjen e tenderit ka përcaktuar se afati i vlefshmërisë së tenderit është 120 ditë kalendarike, ndërsa sigurimi i tenderit është 150 ditë kalendarike.
Kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, nuk ka qenë i kontaktueshëm gjatë së mërkurës për të dhënë përgjigje rreth rekomandimeve të marra nga Komisioni Evropian. Njëjtë kanë vepruar edhe zyrtarët e Postë-Telekomit të Kosovës. Ndërkaq, edhe në dokumentet e këtij tenderi të siguruara nga Komisioni Rregullator i Prokurimit Publik (KRPP) Korporata e Postë-Telekomit nuk ka dhënë arsyetim rreth anulimit të këtij tenderi.
“Një urdhër i lëshuar nga autoriteti kompetent kërkon anulimin”, thuhet në vendimin e PTK-së të datës 30 prill të këtij viti.
Më datën 26 mars, PTK-ja kishte shpallur dy fitues për tenderin për fibra optike. Në këtë aktivitet të prokurimit kishin konkurruar 27 operatorë ekonomikë, ndërsa PTK-ja nuk kishte bërë publik datën e planifikuar të nënshkrimit të kontratës. Arsyetimi i kësaj korporate ishte se nuk dihet se kur do të nënshkruhet kontrata.
Konsorciumi “Union Commerce & Group Oil PR” kishte fituar 3 milionë e 828 mijë e 591 euro, ndërsa kompania “Botek” kishte fituar tender prej 8 milionë e 459 mijë e 706 euro. Kompania “Botek” ishte shpallur fitues, edhe pse, sipas Policisë së Kosovës, ishte duke u hetuar për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar siç është “Sim to Sim”, i cili dëmton PTK-në, meqë ka të bëjë me terminët e thirrjeve ndërkombëtare.
Kompanitë që merren me këtë aktivitet i kanë shkaktuar Postë-Telekomit humbje milionëshe duke përfituar nga ndërhyrja në rrjetin ndërkombëtar të telefonisë.
Shtuar më 06/05/2010, ora 09:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori