Pse vdesin më shumë burra se sa gra nga Covid-19?
Teksa bota po përballet me pandeminë vrastare të Covid-19, statistika nga vende të ndryshme po nxjerrin në pah faktin se koronavirusi po ka vdekshmëri më të lartë ndër burra se sa ndër gra.

Në përgjithësi nuk ka shumë diferencë mes të infektuarve. Përqindja e grave dhe burrave të infektuar është mesatarisht e njëjtë, por te viktimat raportet ndryshojnë.

Të dhëna të publikuara nga Iniciativa Botërore 50/50, fillimisht në Kinë, kanë treguar diferencë të qartë të vdekshmërisë nga Covid-19 mes gjinive – 64 për qind burra.

Kjo prirje është vënë re edhe nga të dhënat e para të publikuara për Holandën, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën.

Në Itali 71 për qind e viktimave janë burra, ndërsa në Gjermani 66 për qind, Spanjë 65 për qind, Holandë 64 për qind e Francë 58 për qind.

Të dhënat e përpunuara bëjnë fjalë vetëm për një pjesë të viktimave – viktimat e analizuara.

Megjithëse është ende herët për të dhënë një gjykim përfundimtar, viruse të tjera të ngjashme me Covid-19 kanë pasur një diferencë të njëjtë mes gjinive – SARS-Cov dhe Mers-Cov.

Mjekët arsyetojnë se për ndryshore të tilla të vdekshmërisë ndikon jeta e ndryshe mes burrave dhe grave.

Stili i jetës, sjelljet, alkooli, duhani, higjiena e dobët, mos-zbatimi i këshillave të mjekëve janë ndër argumentat kryesore.

Një studim ka treguar se meshkujt i lajnë më pak duart dhe shpesh pa sapun – masa kryesore e parandalimit të infektimit nga koronavirusi.

Po kështu ka dhe faktorë biologjikë, siç janë hormonet, sidomos estrogjeni që te gratë rrit përgjigjien antivirale të imunitetit.

Struktura gjenetike është gjithashtu faktor që mund të luajë rol, pasi një numër domethënës i gjeneve që rregullojnë imunitetin janë të vendosura në kromozomin x, të cilin gratë kanë dy ndërsa burrat një.

Në botë ka tashmë mbi 820 mijë të infektuar dhe 40 500 viktima nga koronavirusi. Hamendësohet se kjo pandemic do të nxjerrë të dhëna edhe më të vlefshme për të përcaktuar më mirë se çfarë ndryshimi ka mes sistemeve të imunitetit të dy gjinive. /exit.al
Shtuar më 31/03/2020, ora 20:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori