“Faktet dolën, jep dorëheqjen”, protestë pranë shtëpisë së Ramës në Surrel

Një grup me disa të rinj nga FRPD dhe simpatizantë të Partisë Demokratike janë mbledhur rreth 1 km nga shtëpia e kryeministrit Edi Rama në Surrel dhe i kërkojnë atij të japë dorëheqjen.

Më pankarta në duar ku shkruhet “faktet dolën, jep dorëheqjen” dhe me foto ku shfaqet Rama dhe ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, ata i kanë kërkuar kryeministrit të lërë detyrën.

“Jemi këtu për t’i kthyer vizitën kryeministrit Edi Rama. Ai ka futur duart në xhepat e qytetarëve dhe ka hyrë brenda shtëpive tona. Ka tentuar të asgjësojë të gjithë zërat kundër tij për të mbajtur pushtetin e një autokrati. ne jemi këtu dhe këtu do qëndrojmë çdo ditë. Një pikënisje dhe një thirrje për qytetarët që të na bashkohen më 11 shkurt. Ne jemi këtu, qytetarët shqiptarë janë këtu. Do jemi në mbështetje të çdo kauze qytetare. Ne mendojmë se Rama nuk meriton më të jetë në postin e kryeministrit. Ai ka tentuar asgjësimin e opozitës shqiptare. Ne nuk e duam më kryeministër”, tha një prej të rinjve.

Po aty ndodhen edhe forca të shumta policie, që iu kanë kërkuar qytetarëve të largohen nga vendi ku po protestojnë.

“E shikojmë që Shqipëria është kthyer në vendin e shkatërrimit. Arsimi është shkatërruar, drejtësia nuk funksionon. Të rinjtë po largohen. Thirrja ime është Edi Rama largohu që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri”, tha një tjetër protestuese.

 


Shtuar 6.02.2023 16:12